Trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç, foli pas ndeshjes ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku tregoi pakënaqësitë e tij për paraqitjen e zhvilluar ndaj Laçit, pavarësisht triumfit me shifra minimale.

Trajneri kroat shprehet se skuadra e tij u tregua joserioze në pjesën e parë. Përveç kësaj, 49-vjeçari tregon edhe për situatën e Mbasë, i cili është në dyshim edhe për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Zekiç nuk jep garanci në lidhje me largimet, pavarësisht se shanset që të ketë shitje janë të vogla.


Një fitore në ndeshjen e parë të Superiores. Sa ju bindi kjo paraqitje e skuadrës?

Veçanërisht pjesa e parë ishte një paraqitje për t’u harruar. Bëmë një lojë shumë të keqe, pas 50 minutash duhej me patjetër të bëja 2-3 ndryshime, sepse ajo që bëmë në pjesën e parë nuk ishte aspak serioze. Nuk mund të luajmë futboll në këtë mënyrë.

Linja jonë ishte e thyer, nuk ishim kompaktë, në mbrojtje ishim shumë pasivë dhe nuk bëmë presingun e duhur kur ne humbnim topin. Këto gabime nuk bëhen në futbollin profesionist. Falë Zotit Pano (Qirko) bëri gjithçka mirë në pjesën e parë dhe Laçi nuk shënoi dot. Treguam shumë dobësi.

Bëtë disa ndryshime në formacion. Kjo ndodhi sepse lojtarët ishin të lodhur apo një vendim taktik?

Po, por nuk bëra aq shumë ndryshime sa duket në pamje të parë. Aktivizova Prekën, Bytyçin dhe Zekollin. I vetmi që nuk kishte luajtur ishte Bytyçi dhe kjo është diçka normale. Por në këtë ndeshje problemi nuk ishte tek emrat. Ne patëm shumë probleme në tërësi si skuadër dhe nuk kishim ndërveprimin e duhur. Laçi tregoi mjaft cilësi, ishte një skuadër e shpejtë dhe e fortë me topin në këmbë. Kishin sulm të shpejtë dhe duhet të gjendeshim gjithnjë të përgatitur në sulmet e tyre.

Ne e kishim shumë të vështirë të ripozicionoheshim mbrapa dhe nëse nuk bën këtë, përballesh me probleme. Kjo pjesë e parë ndaj Laçit duhet të shërbejë si një eksperiencë, për të mos e përsëritur më në vazhdim. Unë dëgjoj gjithë kohës fjalë të tilla si ndeshje e lehtë, fitore e lehtë, por nëse nuk vlerëson në maksimum rivalin dhe nuk jep më të mirën tënde, nuk ia del dot. Nëse ti ke kualitet, duhet ta tregosh. Jo të zbresësh në fushë pa energji dhe të ndodhë kjo.

Si është situata me Mensahun dhe Da Silvën, të cilët vijojnë të mos jenë pjesë e skuadrës?

Mensah ka humbur kilogramë për shkak të operacionit dhe nuk e ka pasur të lehtë. Atij iu desh të qëndronte dy muaj pa asnjë stërvitje dhe falë Zotit është më mirë dhe shpresoj që shumë shpejt të kthehet në stërvitje në kushte normale. Duhet të jetë i kujdesshëm, sepse trupi i tij tani nuk është shumë i fortë dhe duhet të punojë në këtë aspekt. Kishim mungesa në këtë ndeshje, por ky nuk është një justifikim.


A mund të jetë Mba i gatshëm për ndeshjen ndaj Vllaznisë?

Nuk di të them me siguri. Ai është mjaft i fortë fizikisht, por duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi nëse kthehesh herët në fushë në të tilla dëmtime, mund të jetë e rrezikshme. Do të shohim së bashku dhe do të vlerësojmë situatat në vijim. Do të flasim me mjekët dhe përgatitësit atletikë.


Disa dritare transferimesh janë ende të hapura. Mund të ketë ndonjë largim gjatë këtyre ditëve te Partizani?

Kjo nuk është një pyetje për mua, por për drejtorin sportiv. Gjithnjë ka njerëz që flasin. Unë jam dy muaj këtu tashmë dhe gjithnjë kam dëgjuar thashetheme të tilla. Asnjëherë nuk e di çfarë ndodh në merkato, mund të ketë largime të befasishme në momentet e fundit, nuk i dihet.