Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se ka munguar në takimin me golin në fitoret 1-0 ndaj Elbasanit dhe 0-1 ndaj Bylis së fundmi, Bekim Balaj ngelet sërish golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ku shkodrani i Vllaznisë ka 4 gola në llogarinë e tij deri më tani në edicionin 2025-26, me Karricën i cili ka shënuar 3 herë në Superiore dhe ndjek kapitenin kuqeblu.
E pikërisht tek 34-vjeçari janë shpresat më të mëdha tek Vllaznia për të zgjidhur ndeshjen e rradhës, atë kundër Tiranës në kuadër të javës së 8-të të Superiores.
Por, jo vetëm shpresa dhe dëshira është që Balaj t’a zgjidhë këte ndeshje ndaj Tiranës, janë edhe statistikat ato që flasin në favor të ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare.
Kjo pasi që pas rikthimit të shtatlartit në kampionatin shqiptar në janarin e vitit 2023, Tirana ka qenë “preja” e preferuar e Balajt. Ku ndaj bardhebluve ka shënuar në vazhdimësi, duke u shndërruar kështu në një “makth” për bardheblutë nga kryeqyteti.
Kështu në 7 ndeshjet e fundit në kampionat ndaj Tiranës, Balaj ka arritur të shënojë plot 9 herë. Kështu në ndeshjen e fazës së dytë të edicionit 2023-24, Balaj ka shënuar kundër Tiranës në një fitore 0-1 të Vllaznisë.
E po në të njëjtin edicion, por në fazën e tretë, sulmuesi ka gjetur dy herë rrjetën në një sukses të Vllaznisë me shifrat 3-1 ndaj Tiranës në “Loro Boriçi.” Tradita e shënimit të golave në klasike u vijua edhe në sezonin e shkuar, atë 2024-25 për Balajn.
Ku sulmuesi shënoi tre herë dopieta në portën e Tiranës në përballjet e edicionit të shkuar. Konkretisht në ndeshjet Vllaznia- Tirana (2-2) të fazës së parë në Shkodër, në ndeshjen Tirana-Vllaznia (3-4) e vlefshme për fazën e dytë dhe e zhvilluar në Lushnje dhe në duelin Vllaznia-Tirana (2-1), të fazës së tretë në Shkodër.
Duke vërtetuar kështu se Tirana është një kundërshtar i preferuar për numrin “9-të”. Tek i cili do jenë sytë kryesorë të premten në “Loro Boriçi” për të shikuar nëse Balaj do vijojë sërish të shënojë në portën e bardhebluve.(www.shkodrasport.com)