“Futbollisti flet në fushë me këmbë dhe jo me lloqe nëpër gazeta”. Kjo duhet të shërbente si frymëzimi dhe si filozofia e secilit lojtar profesionist aq më tepër, kur një mendësi e tillë thuhet nga një ish-legjendë e futbollit shqiptar.

Agustin Kola, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ndalet jo pak te paraqitja e lojtarëve nga sa kanë treguar në javën e parë të Superiores.

Ish-sulmuesi i Tiranës së artë dhe Kombëtares e vë theksin te puna e pakët në seancat stërvitore të futbollistëve, që sipas tij nuk mjafton për të pasur përgatitjen ideale për të përballur si duhet një ndeshje futbolli.

Kola ka një mesazh edhe për tifozët e pranishëm në stadiume, ndërkohë që “gjen një fajtor” edhe për dhunën e tifozërive në shkallët e stadiumeve.

Në lidhje me titullin, ai i rendit Skënderbeun dhe Kukësin përkrah njëri-tjetrit në krye, ndërkohë që sipas tij, Tirana duhet të kalojë pa problem transfertat në rast se kërkon kreun.

Në këtë fillimsezoni, dominojnë trajnerët shqiptarë në krahasim me të huajt…

Po kaq trajnerë ka në Shqipëri. E keni parë që një trajner del kampion në Korçë e më pas bie nga kategoria me Tiranën. Një tjetër del kampion në Kukës e më pas rrëzohet me Vllazninë.

Nuk ke çfarë të thuash se kaq kanë mbetur në vendin tonë. Puna e trajnerit është e tillë sa edhe ‘Vër llapën’ ta dërgosh te Barcelona, do të dalë kampion.

Më kuptoni shprehjen, pasi unë kam respekt për këtë që po përmend, por e tillë është situata.