Futbollistët shqiptarë janë të shpërndarë kudo nëpër Europë. Fëmijët e emigrantëve të viteve 90-2000 tashmë kanë filluar të dalin në skenën e futbollit të madh dhe të bëjnë emër. Një ndër ta është edhe Elmando Gjini. Futbollisti që është pjesë e Genoas në Itali, por me origjinë nga qyteti i Shkodrës.

Në moshën 19-vjeçare dhe me një fizik për tu admiriar ku numëron 1 metër e 97 centimetër, Gjini ka spikatur në edicionin që u mbyll me ekipin Primavera të kuqebluve.

I aktivizuar në rolin e mesfushorit para mbrojtjes, por edhe atë të qendërmbrojtësi, ai ka koleksionuar 32 paraqitje, ku ka shënuar edhe 4 gola. Performancat e tij duket se kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Genoas.

Tashmë në sezonin e ri, ekipi më i vjetër italian do jetë në Serie B dhe ky duket shansi i artë për Gjinin që të luajë në ekipin e parë. Shtatlarti do jetë pjesë e skuadrës legjendare italiane në përgatitjet e fillim sezonit, e më pas me siguri edhe gjatë kampionatit.

Gjini si futbollist është formuar në Suedi tek skuadra e Bromma, e ndërsa më pas kaloi në Itali fillimisht tek Bologna e tashmë tek Genoa. Gjithashtu ai ka qenë pjesë e grumbullimeve të kombëtareve u-17, u-19 dhe u-21 të Shqipërisë dhe shihet si një element prespektivës.

Endri ÇINARI