Deri më tani askush nuk e ka ditur një gjë të tillë. Para 2-3 muajsh, thjesht në mediat tona është bërë një lajm 10 rradhës se një lojtar 17 vjeçar ka firmosur me një ekip të Superligës belge. Asgjë më shumë. Por, nga kërkimet tona na del një fakt shumë interesant. Bëhet fjalë për një futbollist me origjinë nga Shkodra i cili duket se ka shumë të ardhme dhe shumë shpejt mund ta shohim duke luajtur edhe në ekipe më me emër.

Bëhet fjalë për Sebastjan Spahiu (Shpuza). Ai është i datëlindjes 30 tetor 1999. Mbase nga mbiemri i parë shumëkujt nuk i ka shkuar ndër mend për lidhjen e tij me Shkodrën (është mbiemri i nënës së tij) por mbiemrin nga babai e ka Shpuza. Ky i fundit është larguar para 19 vitesh nga Shkodra me destinacion Belgjikën, aty ku një vit më pas i ka lindur djali që sot është bërë një futbollist i njohur. Në korrikun e këtij viti Sebastjani ka firmosur një kontratë profesioniste me ekipin “Royal Excel Mouscron” që merr pjesë në kategorinë më të lartë të futbollit belg, në “Jupiler Pro League”. “Shkodra Sport” ka kontaktuar me vetë lojtarin dhe ai është shprehur i gatshëm për të dhënë të parën intervistë për një media shqiptare.
-Sebastjan përshëndetje. Një emër i panjohur në fakt për shqiptarët dhe shkodranët por mësuam se jeni me origjinë nga Shkodra apo jo?
-Po,jam me origjinë nga Shkodra. Unë vetë kam lindur në Belgjikë por familja ime ka emigruar këtu para 19 vitesh nga Shkodra.


-Keni lindur në Belgjikë por e flisni dhe e shkruani gjuhën shqipe shumë mirë. Si e shpjegon këtë?
Shqipëria është vendi im dhe pavarësisht se unë kam pasaportë belge nuk mund ta harroj vendin e të parëve të mi. Flas dhe shkruaj mirë shqip sepse familja ime ka ngulur këmbë në këtë gjë dhe ma ka rrënjosur në mendje mësimin e gjuhës shqipe dhe jam i lumtur për këtë gjë.

-Të kalojmë tek karriera juaj. A mund të na thoni kur e keni filluar atë dhe cilat kanë qenë hapat që ke ndjekur?
-Futbollin e kam nisur që në moshën 8 vjeç me ekipin FC Brussels dhe me të kam luajtur deri në moshën 15 vjeçare. Më pas, për një vit kam luajtur me një ekip të kategorisë së parë- Lierse Sk. Ky ekip në fund të sezonit ra nga kategoria dhe unë kalova tek Mouscron”. Me të kam luajtur një vit pa kontratë por paraqitjet e mira që bëra me këtë ekip, bënë që drejtuesit e klubit të më ofrojnë firmosjen e një kontrate profesioniste.

-Sezonin e kaluar, ju keni luajtur me ekipin U-19?
-Kam luajtur vetëm për dy muaj në fillim të sezonit dhe më pas, drejtuesit më kaluan tek ekipi U-21. Me të vetëm në dy ndeshjet e para kam qenë rezervë dhe ndonëse isha vetëm 17 vjeç, më pas i kam luajtur të gjitha ndeshjet si titullar. Kam shënuar edhe katër gola për këtë ekip. Madje në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar, kam luajtur si titullar me ekipin e parë të Mouscron dhe ndoshta paraqitja ime i bindi trajnerët për të më patur në skuadrën e parë në sezonin e ri.

-Kur ju thanë se do të firmosnit kontratë profesioniste me këtë ekip ende pa mbushur 18 vjeç, si u ndjetë?
-Sigurisht që i lumtur sepse po realizohej ëndërra ime e parë. Përpos kësaj, ishte mirë edhe për prindërit e mi sepse kanë punuar shumë për të mi plotësuar kushtet për t’u bërë futbollist dhe mbase tashmë po vjen momenti që unë t’ua shpërblej.

-Mouscron në kampionatin e sivjetëm të “Jupiler Pro League” ndodhet aktualisht në mesin e tabelës së renditjes. Ju keni debutuar me këtë ekip?
-Jo ende por po punoj fort që në momentin kur trajneri të më japë shansin, të arrij të tregoj vlerat e mia. Në dy ndeshje kam qenë në 18-she por ende nuk kam luajtur megjithatë besoj se ky moment do të vijë shpejt.


-Meqënëse ke dy nënshtetësi, belge dhe shqiptare, ju ka ardhur ndonjë ftesë gjatë këtyre viteve për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare?
-Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush. Kuptohet që do të ishte kënaqësi shumë e madhe për mua. Vërtetë nuk e disponoj për momentin pasaportën shqiptare por ky është një proces që mund të kryhet shpejt, gjithmonë nëse dikush nga Shqipëria më telefonon dhe më thotë se jam në planet e kombëtares U-19, U-20 apo U-21.


-Sebastjan, cila është ëndërra juaj e madhe?
-Mund të duken qesharak por ëndërroj që një ditë të luaj për Barcelonën. Mbes me shpresën se kjo ëndërr e madhe të më realizohet. Deri më tani shumë ëndërra më janë realizuar, pse jo edhe kjo mund të bëhet. Unë do punoj fort për këtë gjë. Po ashtu, një tjetër ëndërr për mua është që të luaj edhe për Shqipërinë sepse është kombëtarja e vendit tim.

Intervistoi: Gjergj KOLA