Samuel Nikaj nuk ia ka dalë të arrijë akordin me një ekip kosovar ndonëse pritej që gjatë javës së kaluar të firmoste me të dhe kësisoj vijon të jetë pushim. Trajneri shkodran në rrethana të tilla, nuk heziton të flasë për çështje të futbollit shqiptar sa herë që i kërkohet.

Kështu ka bërë edhe në një prononcim për “Shkodra Sport” teksa ka marrë në shqyrtim punën e disa trajnerëve të futbollit shqiptar, mënyrën si ato emërohen apo dhe duke evidentuar disa prej trajnerëve më të mirë të kampionatit tonë, teksa ka folur për Orges Shehin, Ilir Dajën por edhe për disa mënyra jokorrekte të emërimit të disa trajnerëve të tjerë..

“Shehi është një trajner i ri, me një vit stazh pune si trajner dhe që ka marrë përsipër drejtimin e një ekipi si Kukësi që ka shumë potencial. Fakti që ai ka pranuar kushtin e presidentit Gjici se nëse nuk del kampion largohet, tregon se vetëm një trajneri i ri e pranon këtë kusht.

Shehi nuk mund të ndryshojë shumë gjëra tek kjo skuadër, mund të ndërhyjë vetëm në aspektin psikologjik, madje edhe në këtë drejtim nuk besoj se ka defiçite sepse kur ke një president si Safet Gjici, normalisht që ekipi është i karikuar dhe luan 100 për qind në tonus. Ajo që ka munguar tek Kukësi, është një skuadër e ndërtuar gabim. Ajo ka shumë lojtarë ofensivë dhe shumë pak difensivë.

Në Shqipëri ka trajnerë shumë të mirë dhe mjafton këtu të përmend Ilir Dajën, të cilin pa frikë do ta konsideroja më të mirin e Superligës shqiptare dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë”- është shprehur Nikaj.

Në fakt po flasim për trajnerë të ndryshëm të cilët ndoshta karrierën e tyre e kanë nisur të favorizuar edhe nga emri i mirë që kanë krijuar si futbollistë, ndërkohë që vetë shkodrani e ka patur pengesë këtë gjë, megjithatë është munduar të punojë fort për të arritur këtu ku është sot. Madje, ai zbulon edhe disa detaje interesante që kanë të bëjnë me trajnerë të tjerë të futbollit shqiptar.

“Një trajner që nuk ka patur emër si futbollist, e ka të vështirë të çajë shpejt si trajner, prandaj më është dashur të pushojë ndoshta më shumë se të tjerët për të arritur njëfarë standarti. Por faktori bazë në këtë drejtim është sa lidhje ke. Ne e dimë që ka trajnerë në Shqipëri për të cilët ka ndërhyrë edhe kryeministri i vendit Edi Rama për ta bërë trajner të një skuadre. Ky është një fakt real.

Plus kësaj, unë e kam një përvojë timen personale sepse kur ka qenë një balotash për të shkuar tek Apolonia e Fierit vite më parë, normalisht që me politikë dhe me ndërhyrjen e kryetarit të Bashkisë u emërua një trajner tjetër. Unë realisht nuk i kam përdorur kurrë këto mjete e mënyra për t’u bërë trajner i një skuadre.

Thjesht ata që më kanë marrë trajner mua, kanë besuar tek puna ime. Kjo është dëshira ime, ai klub që dëshiron të më marrë trajner, më të marrë si Samuel, për punën që bëj dhe jo se e ka rekomanduar dikush tjetër emrin tim”- thotë në përfundim të fjalës së tij Samuel Nikaj.
© shkodrasport.com