Arritjet e tij në karrierën si sportist kanë qenë mbresëlënëse teksa ka arritur të fitojë edhe titullin e lartë të kampionit të Botës. E kemi fjalën për Elis Gurin i cili duket se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga sporti. Pas një shkëputje të shkurtër, e cila i ka shërbyer për të menduar dhe për të reflektuar, ka vendosur të rikthehet fuqishëm në sportin shqiptar. Bashkë me disa miq të tij ka themeluar shoqatën sportive “Promosport Albania”, me të cilën ka ndër mend të organizojë aktitetete të shumta të cilat do të shërbejnë për promovimin e sportistëve elitarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Hapi i parë është organizimin e “Natës së Boksit” në Tiranë më 8 shkurt dhe pas tij, do të ketë të tjera aktivitete dhe jo vetëm në boks. Duke folur për “Shkodra Sport”, Elis Guri do të shpjegonte edhe qëllimin e shoqatës së sapokrijuar, president i së cilës është zgjedhur ai. “Aktiviteti “Nata e boksit” që do të zhvillojmë më 8 shkurt do të jetë disi më ndryshe nga të gjithë të tjerët që janë zhvilluar deri më sot në Shqipëri. Do jetë një organizim mes boksit dhe spektaklit.Ideja është që të bëjmë një promovim të sportitistëve dhe të sportit real në Shqipëri. E çuditshme por pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk njohin se kush janë kampionët realë dhe të fortë.

Aktiviteti i boksit do të jetë një “shoë” i madh për spektatorin, për sportistat dhe të jetë një natë e bukur për sportin shqiptar”. I pyetur se çfarë do të ketë pas këtij aktiviteti të parë, Guri nuk ka dëshirë të zbulojë më tepër gjëra dhe prandaj shprehet: “Ideja jonë për të krijuar diçka të re lindi shumë natyrshëm. Duke parë realitetin e sportit në Shqipëri, bashkë me disa miq të mi, jemi ulur e kemi biseduar për të bërë diçka ndryshe.Fokusi jonë nuk do të jetë vetëm tek boksi por tek të gjithë sportet. Planet tona janë të shumta dhe besoj se do t’i zbulojmë një e nga një”- ka deklaruar ish- kampioni i botës në mundje.
© shkodrasport.com