Problemet për ekipin e Vllaznisë në basketboll për femra nuk kanë fund. Sikur të mos mjaftonte largimi i njërës prej titullareve të këtij ekipi drejt Tiranës, pikërisht e Edona Berranijes, një tjetër sportiste ka marrë rrugën drejt kryeqytetit. Këtë herë bëhet fjalë për një nga elementet e reja dhe më me perspektivë jo vetëm të basketbollit shkodran por edhe atij shqiptar, Bernada Rreshpja. Ndonëse vetëm 16 vjeçe, ajo ka spikatur me paraqitjet e saj dhe madje ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar të të rriturave të Shqipërisë.

Drejtuesit e Tiranës mesa duket nuk kanë dashur ta humbasin një mundësi të tillë për ta “rrëmbyer” dhe për ta bërë pjesë të veten. Kuptohet që ajo do ta ketë të vështirë të luajë në kryeqytet dhe kjo mbase mund të ndikojë në paraqitjen e saj megjithatë largimi i Rreshpjes është një humbje e madhe për ekipin e Vllaznisë sepse ka qenë një nga elementet më me përspektivë të tij.
© shkodrasport.com