Pavarësisht se Vllaznia e futbollit nuk po kalon momente të mira, ajo sërish ka marrë vëmendjen më të madhe. Ka ndodhur kështu edhe në ceremoninë zyrtare të 100 Vjetorit të këtij klubi festuar mbrëmjen e së shtunës në teatrin “Migjeni”.

Futbolli ka patur më shumë të dekoruar se gjithë sportet e tjera dhe përpos kësaj, ceremonia ka nisur pikërisht me futbollin, ndonëse ky klub ka nxjerrë nga rradhët e tij kampionë bote dhe Europe.

Arsyen pse u veprua kështu, e ka shpjeguar vetë presidenti Ilir Meta në përfundim të kësaj ceremonie, teksa sipas tij, një veprim i tillë u bë me qëllimin e vetëm për të dhënë një mesazh për Vllazninë e sotme.

“E nisëm dekorimin me futbollin, jo për të thënë se Shkodra ka patur vetëm futbollista të mëdhenj, sepse padyshim që ka patur, por për të dhënë mesazhin e fortë të rikthimit të fuqishëm të Vllaznisë në futboll”- ka thënë ai.

Kuptohet që të gjithë shprehin keqardhje për këtë fakt dhe natyrisht që të gjithë e duan në mes ekipeve më të mira të vendit dhe jo vetëm kaq madje, por dhe të rikthehet si protagoniste. A do të ndodhë? Edhe për disa kohë duhet pritur për këtë gjë në fakt.
© shkodrasport.com