Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hasan Lika, tashmë që është mbyllur edhe faza e dytë i bën një analizë ecurisë së skuadrës deri më tani. Sipas Likës, nuk ka qenë edhe aq e lehtë, duke pasur parasysh edhe nisjen me vonesë dhe ruajtjen e grupit. Megjithatë, sipas trajnerit kryeqytetas që këtë sezon ka marrë përsipër një mision të vështirë , rikthimin e skuadrës në elitë.

I ftuar në emisionin “E hëna sportive” në Rtsh, trajneri i mirënjohur, Hasan Lika ka theksuar: “Do ta kemi shumë të vështirë. Përballemi me skuadra shumë të vështira, që kanë në përbërje lojtarë cilësorë. Skuadrat, apo dhe trajnerët që i drejtojnë kanë bërë një punë shumë të mirë. Tashmë ne duhet që të mendojmë për ndeshjen e radhës me Korabin. Është e vështirë çdo fushë.

Motivimi

Hasan Lika e mori skuadrën në një moment shumë të vështirë, jo vetëm pasi e mori drejtimin 3-4 javë para startit të sezonit, por edhe pa merkato, ndonëse u ruajt grupi me kualitete e Superiores. “Ishte e vështirë, pasi thuajse u organizuam nga e para.

Megjithatë, ne ruajtëm “bërthamën” me shkodranë, por edhe me lojtarët e tjerë jashtë Shkodrës si: Malota e ndonjë tjetër. Falënderoj edhe drejtuesit. Ndeshjet e para dolën me sukses, më pas çdo gjë shkoi si e menduam”.

Rezultatet

“Mund të kishim marrë më shumë, pasi baza e rezultatit është loja. Dy ndeshje nuk na kanë shkuar siç e prisnim. Kemi marrë edhe ndonjë fitore ndoshta jo me lojën tonë më të mirë. por, në përgjithësi jemi të kënaqur për atë që ka dhënë skuadra apo dhe individë të ndryshëm”.

Kontigjenti

Vllaznia ka kualitete dhe lojtarët që kanë bërë diferencën në Shkodër dhe Superiore: “E vërtetë që kam kualitete, por mos harroni kanë qenë shumë të rënduar psikologjikisht. Në Shkodër e kanë ndier shumë rënien, megjithatë shumë nga lojtarët kanë pasur rritje dhe ata kanë dhënë më të mirën që skuadra të marrë 3 pikët në çdo sfidë dhe të realizojë synimin. Ka kualitete dhe të rinj të talentuar”, – tha ndër të tjera trajneri i skuadrës shkodrane Hasan Lika.

Diferencat

“Diferencat nuk janë të mëdha, këtë e kam parë në ndeshje të veçanta. Por, që një skuadër e së Parës të shkojë në elitë, sigurisht qëka nevojë për kualitete për një garë dinjitoze. Me sa shohim ne, skuadrat e grupit tonë janë të mirë organizuar dhe kanë individë që bëjnë diferencën.

Por, mendoj se çdo skuadër ka nevojë që të bëj përforcime nga një fazë në tjetrën apo nga një kampionat në tjetrin. Jam shumë i kënaqur nga niveli i kundërshtarëve. Vërtetë kujtojmë që fituam 1-6 me Vorën, por nuk ka qenë rezultat i drejtë. Për mënyrën si luajti, Vora nuk e meritoi atë humbje. Pa përjashtuar edhe skuadrat e tjera që kanë kualitete dhe bëjnë lojë të mirë”.

Të rinjtë

“Një pjesë e tyre janë në syrin tonë. Ne jemi përqendruar më shumë te ata me eksperiencë sepse Kategoria e Parë dihet si është. Një pjesë e tyre janë cilësorë, por duhet që të vijojnë të luajnë me moshat, nuk e kemi neve luksin të eksperimentojmë. Por, në fund të këtij edicioni ata do të jenë pjesë e jona, pasi i besojmë të ardhmes.

Është ndryshe kur një i ri bën diferencën me moshatarin e vet dhe ndryshe në një garë me më shumë eksperiencë. Të rinjtë në Superiore mund të ingranohen pjesërisht, kurse në Kategorinë e Parë është me e vështirë. Në Shkodër punohet shumë mirë me moshat, madje U-19 dhe U-17 kanë elementë dhe çdo sezon kanë elementë dhe fitojnë trofe”./vipsport/