Ne prag te ndeshjes se rradhes, ate qe do te zhvilloje neser ne Fier ndaj Apolonise, trajneri i Teutes Edi Martini ka shprehur bindjen se per skuadren e tij ka ardhur momenti t’i jape fund serise se barazimeve.

“Shpresoj që çështjen e barazimeve ta zgjidhim nesër. Kemi punuar fort gjatë gjithë javës, kemi punuar shumë, sidomos në daljet e shpejta dhe goditjet në portë. Është vetëm një moment psikologjik. Nesër detyrimi ynë është vetëm të fitojmë ndeshjen.

Na mungon rezultati pozitiv, prandaj do ta quaja kthesë fitoren e nesërme. Djemtë kanë luajtur çdo ndeshje mjaft mirë, kemi mbizotëruar pothuajse lojën në çdo ndeshje. Fati nuk ka qenë me ne, por edhe arbitrimi nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Mendoj se kthesa nesër do të vijë patjetër.

Ne mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë, nuk dua të fajësoj sulmuesit për mungesën e golave. Nuk është defekt i vetëm një reparti, kemi pësuar pak në mbrojtje, por kjo vjen edhe nga ndihma që kanë dhënë sulmuesit. Gjithë ekipi duhet të zhbllokojë rezultatin dhe të nxjerrë golin.

Të gjithë lojtarët janë gati, kanë formë shumë të mirë, me përjashtim të Kouros me probleme në këmbën e majtë. Skema me dy sulmues? Nuk e di, ne mund të ndryshojmë gjithmonë përpara çdo ndeshjeje. Kemi edhe pak kohë, do vendosim nesër për formacionin.

Nuk e shoh të rënduar psikologjiksht ekipin. Normal që rezultatet të vendosin përpara përgjegjësisë, por djemtë e kuptojnë dhe kanë dëshirë për të dhënë çdo ditë më tepër në stërvitje. Ekipi punon me më shumë dëshira, pasi e sheh që ka luajtur më mirë se çdo tjetër, pavarësisht rezultateve që nuk i ka pasur të mira. Së bashku me mua, kemi besim që do t’ia dalim dhe do të rikthejmë rezultatet pozitive te Teuta“.