Vetë ka provuar të luajë në Slloveni shumë herët, në fillimin e viteve ’90 ndërsa në verën që shkoi, ka dërguar në këtë vend një futbollist të ri.

Bëhet fjalë për sulmuesin shkodran Rubin Hebaj. Ky i fundit pak ditë më parë shënoi golin e tij të tretë për Domzhalen, ekipin aktual.

Edi Martini duke folur për “nxënësin” e tij, per gazeten “Shkodra Sport” shprehet: “Më vjen mirë që Rubini vazhdon përpjekjet për t’u ngjitur aty ku duhet. Ai ka patur një dëmtim në tendinë që e ka lënë për disa kohë jashtë skuadrës.

Por tashmë Rubini besoj se do të luajë më tepër, do të ketë më shumë minuta në dispozicion”.

Por sakaq, Martini që po bën herëpashere edhe rolin e menaxherit, fillon të flasë edhe për interesimin e disa skuadrave për këtë futbollist dhe ndoshta në verë nuk përjashtohet mundësia të ndërrojë ekip.

“Ka filluar interesimi edhe nga Olimpia e Ljubjanës dhe një ekip tjetër slloven. Po ashtu, ka patur kërkesa edhe nga Danimarka
dhe shumë ekipe të tjera në vende të ndryshme.

Kemi të bëjmë me një lojtar që është në “pjacë”. Nëse arrin të shënojë gola gjatë kësaj faze, të jeni të bindur se ka për të patur një të ardhme shumë të mirë”-thotë “menaxheri Martini.

Më pas, ai flet edhe për disa karakteristika të lojtarit 19 vjeçar i cili çdo ditë e më tepër po spikat në kampionatin slloven të futbollit duke luajtur për ekipin e Domzhales.

“Rubini është një djalë serioz, që punon shumë, që ul kokën dhe me këto karakteristika, padyshim që edhe frutet kanë për të ardhur.

Ai është një profesionist i vërtetë. E ka treguar me mënyrën e qëndrimit të tij tek kjo skuadër teksa vërtetë kaloi një periudhë disi të gjatë në fillim pa u aktivizuar, por asnjëherë nuk u ndie.

Vazhdoi të punojë fort dhe padyshim që shumë shpejt ka për t’u bërë protagonist.

Hebaj ka edhe dy vjet kontratë me Domzhalen por kam përshtypjen se nuk do ta mbyllë kontratën në Slloveni sepse do të kalojë në një skuadër tjetër përpara afatit të përfundimit të kontratës aktuale që ka me këtë ekip.

Kërkesat që ka por edhe dhuntitë që i ka falë Zoti por edhe mënyra si punon, besoj se do të vënë në lëvizje shumë ekipe për ta bërë pjesë të tyren në të ardhmen”- thote Martini.
© shkodrasport.com