Trajneri i Teutës, Edi Martini, vazhdon ende të jetë i paqartë për të ardhmen e skuadrës së tij dhe këtij sezoni të çuditshëm. Ai është i ndërgjegjshëm se me këto kushte aspak optimale, të gjithë janë të barabartë nëse rifillohet, pasi është krijuar një shkëputje shumë e madhe që nga momenti i ndërprerjes së sezonit.

“Një situatë që nuk e kemi hasur kurrë më parë as si lojtarë e as si trajnerë. Edhe në kohën e pushimeve pasi ka mbaruar kampionati kemi pasur kohë më të shkurtër pushimi. Tani u bë rreth një muaj e gjysmë, situata nuk është aspak e mirë. Por ne jemi munduar që të mbajmë të karikuar lojtarët me plan stërvitor, nuk është idealja, biles jemi skeptikë se nuk dimë as datën kur rifillon kampionati e kjo na ka çorientuar pak. Si Teuta, edhe të tjerët nuk e dinë se çfarë i pret”, tha ai për RTSH.

Ndërkohë, trajneri ka një bindje të plotë se ekipi i tij do të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare këtë sezon, si të rifillojë kampionati e si jo.

“Me këtë renditje që kemi, duke perfituar edhe nga moskalimi në Europë i Skënderbeut, ne jemi në pjesën e ekipeve që shkojmë në Europë. Gjithsesi unë mendoj se kemi forca të dalim në Europë e të synojmë Kupat në fushë. Dëshiroj që kampionati të vazhdojë e të merret në fushë çdo gjë, çdo meritë. Por ashtu si po vijnë punët, nëk është futbolli në planin e parë, janë shumë gjëra të tjera, jeta e sportistëve, prindërve, familjarëve të tyre, ndaj nuk është çudi e madhe që kampionati të ndërpritej.

Kemi bërë ndeshje shumë të mira, kemi realizuar fitore e ndeshje shumë të bukura. Pengu im janë dy ndeshje, ajo me Flamurtarin dhe ajo me Luftëtarin që kemi marrë dy barazime. Sot do të ishim në vend të dytë. Prandaj nuk kam frikë e si të fillojë e si jo, ne do të dalim në Kupat e Europës”, ishte bindja e Martinit. /vipsport/