Teuta arriti të mposhtë Tiranën duke lënë kështu vendin e fundit në kampionat. Pas ndeshjes ka reaguar trajneri i durrsakëve Edi Martini. Ai u shpreh se pikët ju rrisin moralin, por kjo nuk do të thotë se duhet t’ju rritet euforia.
Arsyeja e vetme që fituam është falë shpirtit të garës dhe fuqisë së djemve. E shohim njëri-tjetrin në sy e dimë se sa mund të japim. Nuk duhet të fluturojmë pasi jemi akoma në periudhë të vështirë.
Na pret një ndeshje e vështirë në Shkodër, cdo ndeshje është një luftë e madhe, duhet të ulim kokën dhe të punojmë. Këto 6 pikë na rrisin moralin, por jo aq sa të na rritet euforia. Me Vllazninë do luftojmë dhe të fitojë më i miri.
Nuk jam partizan i skemës 3-5-2, por u munduam të riparojmë diçka pasi kishim pësuar shumë gola. Lojtarët kanë sakrifikuar. E rëndësishme ishte që të mos pësonim gol. Kemi riparuar diçka, por ka akoma vend për përmirësim. Kemi biseduar me presidentin dhe synojmë që të blejmë disa lojtarë.
Por merkatoja e janarit është pak e vështirë dhe do të fokusohemi në kampionatin vendas. Përsa i përket golit të anuluar ajo është një kapje e vogël dhe nuk mund të anulohej, por kur arrin të fitosh ndeshjen nuk i sheh shumë këto gjëra”, u shpreh Martini në një prononcim për “Oversport”.