Kombëtarja shqip tare ka mbyllur këtë fushatë kualifikuese në vendin e tretë, pas Anglisë dhe Polonisë ku grumbulloi 18 pikë në total, si asnjëherë më parë, gjithashtu u pa edhe një rinovim i një pjese të skuadrës me emra të rinj.

Por me sa duket kjo nuk ka mjaftuar që presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, të bindet plotësisht për t’i ofruar mundësinë e drejtimit të skuadrës trajnerit italian Edi Reja për edicionin tjetër, atë të Europianit 2024.

Shqipëria ka përpara kompeticionin e “Nations League”, ku në 16 dhjetor do të mësojë kundërshtarët e grupit, ndërsa në qershorin e 2022-shit do të luajë ndeshjet e para. Kjo mund të jetë edhe prova e fundit e Rejës për të mbyllur ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe për t’i lënë vendin një trajneri të ri.

Trajner i cili do të përgatisë Kombëtaren shqiptare për në eliminatoret e “Euro 2024”. Aktualisht, Edi Reja është 76 vjeç dhe ka statusin e trajnerit më të vjetër që drejton një ekip kombëtar./cna/