Superkupa patjetër që është kryetema e këtyre ditëve në Shkodër. Edhe trajneri i Vllaznisë u-19, Edmond Doçi ka komentuar për ndeshjen e nesërme mes kuqebluve dhe Tiranës.

Sipas ish-mesfushorit mund të përsëritet historia e para 21 viteve ku shkodranët triumfonin pikërisht kundër kryeqytetasve.

Doçi tha: “Kjo ndeshje Superkupe kundër Tiranës është një takim prestigji dhe historik patjetër që pasuron duelet e këtyre dy ekipeve.

Patjetër që do jetë një moral më tepër për ekipin nëse do arrijnë të triumfojnë, pasi vijimi i sezonit mund të marrë një humor tjetër. Pavarësisht se besoj se duhet ta shijojnë, pasi nuk ka presion për një trofe të tillë.

Uroj të përsëritet historia e para e 21 viteve, ku Vllaznia fitonte 2-1 në Superkupë kundër Tiranës. Janë shumë vite dhe Vllaznia pavarësisht se ka qenë gjithmonë në elitën e futbollit shqiptar, ka qenë e “persekutuar” përsa i përket trofeve.

Prandaj kemi luajtur edhe në pak Superkupa, uroj dhe kam besimin se të mërkurën do shohim një ndeshje të mirë dhe ku shkodranët të triumfojnë”.