Kalvari i gjatë i Edon Hasanit ka marrë fund. Shkodrani ka debutuar me ekipin e Sepahanit në kampionatin iranian të futbollit. 26-vjeçari ka luajtur 12 minuta në humbjen e djeshme të skuadrës së tij kundër Zob Ahan-it. Mesfushori ka zhvilluar një ndeshje të kënaqshme, pasi ka kontribuar te goli i vetëm i skuadrës së tij. Shkodrani ka asistuar për futbollistin që mori penalltinë duke u kthyer menjëherë në protagonist.

Në një intervistë për Eduasportin.com, Hasani tregon për herë të parë të vërtetën e largimit nga Vllaznia, ambientimin në Iran dhe gjithçka tjetër.
– Hasani, luajtët ndeshjen e parë me fanellën e Sepahanit, çfarë emocionesh morët?
– Të them të drejtën jam shumë i gëzuar për rikthimin në fushë dhe debutimin me skuadrën e Sepahanit. Doja shumë të zbrisja në fushë, pasi nuk ka qenë një periudhë e qetë për mua. Jam i gëzuar që ja dola mbanë, por nuk më vjen mirë për humbjen e skuadrës.
– Mund të na tregoni diçka më shumë për paraqitjen tuaj të parë?
– Ekipi po humbiste 2-0 në momentin që hyra unë. U futa në lojë në minutën e 82-të, nuk kisha shumë kohë, por u mendova të bëj më të mirën. Dhashë një pasim kyç për një nga shokët e ekipit. Ai fitoi penalltinë dhe me anë të saj ngushtuam rezultatin. Fatkeqësisht, nuk fituam.
– Çfarë të tërhoqi më shumë vëmendjen në ndeshjen e parë?
– Pasioni i njerëzve për futbollin. Është një realiteti komplet tjetër, nuk e prisja. Stadiumi i mbushur dhe tifozët që krijojnë një atmosferë fantastike, më të zhurmshme se ajo që është në Shqipëri.
– Ka ndryshuar realiteti iranian me pritshmëritë tuaja para se të mbërrinit te Sephani?
– Jo, pak. Kisha marrë informacione mirë para se të vija këtu. Kam folur gjatë me Sukajn dhe e dija pak a shumë se çfarë më priste. Ai më tregoi dashurinë e madhe të tifozëve, por edhe presionin e tyre. Më foli për agresivitetin dhe konkurrencën e madhe në ekip. Tani po i përjetoj vetë nga afër. Ka më shumë nivel se në Shqipëri dhe lojtarët janë të mirëpaguar.


-Folët për Sukajn, por çfarë roli kishte “Xhevoja” në transferimin tuaj?
– Sukajn e kam mik. Më ka folur shumë për ekipin e Sepahanit dhe ndikoi edhe në transferimin tim këtu. Ai është një lojtar i dashur për drejtuesit, por edhe tifozët e këtij ekipi që e kujtojnë akoma. Shpresoj të bëj po aq mirë sa ai këtu. Dua të përmend edhe një person tjetër që ka ndikuar shumë në transferimin tim, Ervin Bulkun. Ishte ai që më shtyu drejt ekipit iranian. Gjej rastin ta falënderoj publikisht. Bulku punoi në bashkëpunim me menaxherin Nafo Rexhepin dhe kanë qenë personat kryesorë që ndikuan në transferimin tim.
– U larguat me polemika nga Vllaznia, mund të hidhni pak dritë në lidhje me shkëputjen nga klubi shkodran?
– E para e punës më vjen shumë keq për të gjitha etiketimet që mora pas largimit nga skuadra e Vllaznisë. Të gjithë e dinë se jam rritur dhe kam dalë nga Akademia e Vllaznisë, të gjithë e dinë se ngjyrat e mija të zemrës janë kuqeblu. U mundova të jap më të mirën për sa kohë luajta me Vllazninë. Mora një ofertë të mira nga Sephani dhe nuk mund ta refuzoja. Të gjithë futbollistët shqiptarë duan të provojnë veten jashtë vendit. Unë i fala të gjitha detyrimet klubit dhe e mbylla gjithçka me qetësi dhe dashamirësi.
– Çfarë nuk funksionoi te Vllaznia?
– Nuk jam unë personi i duhur që mund të flas për këtë. Mua më dhemb zemra që Vllaznia është në këtë situatë, por besoj se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Kam dëgjuar fjalë të mira edhe në lidhje me presidencën, por edhe merkatoja u bë cilësore. Nuk ka shans që Vllaznia të bjerë.
– Rikthimi në kampionatin shqiptar?
– Sa më vonë aq më mirë. Dua të jem për shumë kohë me Sepahanin dhe të bëj mirë me këtë klub. Shpresoj të arrij gjëra të mëdha.
– Mendoni se mund të arrini dhe Kombëtaren?
– Pse jo. Kjo është një ëndërr e të gjithë futbollistivë shqiptarë.