Ka ditë që përflitet emri i tij si përforcim i mundshëm i Vllaznisë për sezonin e ri por Edon Hasani ende nuk e ka dhënë përgjigjen përfundimtare. Shumëkush është çuditur nga kjo shtyrje e vendimit të tij por arsyeja e vërtetë që ai nuk ka vendosur, duket se ka të bëjë me tjetër gjë.

Mesfushori shkodran mësohet të ketë marrë një ofertë nga jashtë Shqipërisë dhe po e studion mirë atë para se të vendosë.Nuk bëhet fjalë për skuadrën iraniane të Sepahanit por thuhet se është një ekip i një vend tjetër që ka shfaqur interes për këtë futbollist. Përgjigja përfundimtare pritet të jepet deri në fundin e kësaj jave dhe nëse palët bien dakord, Hasani mund të firmosë për këtë ekip. Në rast të kundërt, gjasat janë që të luajë në “Loro Boriçi” në sezonine  ri me fanellën kuqeblu në trup. Megjithatë tifozët duhet të presin edhe pak ditë për të parë nëse ky lojtar do të jetë pjesë e skuadrës së tyre apo jo. Trajneri Cungu e ka kërkuar me ngulm ngaqë me të pritet të rregullojë problemet që ka patur mesfusha e Vllaznisë prej disa sezonesh. Njëkohësisht me ardhjen e mundshme të Edon Hasanit, edhe lojtarët e tjerë kandidatë për të ardhur në Shkodër, mund ta kenë pastaj rrugën e hapur. Lëvizja e parë pritet me interes. Vetë drejtuesit e klubit dhe pjestarët e stafit teknik nuk janë duke u ngutur shumë në negociatat me futbollistët e kërkuar prej tyre në merkato. Objektivi është i qartë për të marrë maksimumin 4-5 lojtarë dhe nëse në këtë numër, dy apo tre do të ishin shkodranë, do të ishte shumë më mirë. Vllaznia pas dy ditëve pushim, i rikthehet sot sërish stërvitjes por faza më intensive e përgatitjeve për sezonin e ri do të nisë në javën e fundit të korrikut. Deri atëherë shpresohet që ajo të jetë e plotësuar edhe me lojtarët e duhur.

© shkodrasport.com