Lajmet e fundit që qarkullojnë në mediat shqiptare bëjnë fjalë për një emërim të Kristian Panuçit në pankinën e kombëtares shqiptare. Nëse për mbarë opinionin tonë sportiv ka një dilemë nëse ish- mbrojtësi i njohur i kombëtares italiane do të jetë në gjendje të vazhdojë apo jo rrugën e suksesshme të Xhani De Biazit, nuk qëndron kështu për dikë tjetër.

Bëhet fjalë për mesfushorin shkodran Armando Vajushi. Lojtari që aktualisht është pjesë e ekipit Pro Vercelli në Serinë B në Itali, ka luajtur para dy sezonesh me Livornon dhe aty ka patur pikërisht trajneri Panuçin. Ky i fundit është shfaqur herëpashere admirues i lojës së mesfushorit bjond shkodran dhe jo më kot, para fillimit të sezonit të kaluar kur italiani u bë trajner i Ternanes, e kërkoi sërish Vajushin por kjo lëvizje nuk u bë e mundur dhe ai kaloi tek Pro Vercelli. Marëdhëniet e mira në mes të dyve, pritet të shërbejnë për rikthimin e 26 vjeçarit sërish në kombëtaren shqiptare. Ai ka luajtur me të vetëm 6 ndeshje dhe prej vitit 2014 nuk u ftua më nga De Biazi i cili kishte mbetur i pakënaqur nga sjellja e shkodranit gjatë një grumbullimi. “Inati” i tij tashmë mund të mbesë pas, sepse në pankinë pritet të jetë Panuçi dhe me të, Armando Vajushi mendohet të rikthehet sërish në nivele të larta dhe pse jo, edhe për një rikthim në Serinë A, aty ku e nisi me Kievon në vitin 2014.

© vllaznia.al