Shkruar nga Gjergj Kola
Historia e futbollit shkodran ka pasur ndër vite shumë emra të mëdhenj, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në lartësimin e emrit të Vllaznisë. Njëri prej tyre është padyshim Xhevdet Shaqiri, trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit kuqeblu, i cili pikërisht sot, 11 shtator, mbush 29 vite nga ndarja e tij nga jeta.
Xhevdet Shaqiri ka lindur në Shkodër më 5 janar 1923. Që i vogël filloi të luante futboll, përkrah emrave të njohur të asaj kohe si Reshit Rusi, Fahri Ceni, Dul Dragovoja etj. Afrohet te ekipi i parë i Vllaznisë dhe në vitet 1945 dhe 1946 bëhet pjesë e tij, duke fituar dy tituj kampionë radhazi.
Në kampionatin e vitit 1946, me 9 golat e shënuar, Shaqiri do të shpallej golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Pas këtij viti kalon te ekipet e Tiranës. Fillimisht luan me Partizanin, me të cilin në vitet 1947-1949 fiton dy tituj kampionë. Në vitin 1950 kalon te Dinamo dhe edhe me këtë ekip do të jetë shumë i suksesshëm, duke fituar 6 tituj kampionë në harkun e tetë viteve.
Në këtë mënyrë, Xhevdet Shaqiri e mbyll karrierën si futbollist me 10 tituj kampionë të fituar, ndërsa në karrierën e tij koleksionon edhe 90 ndeshje ndërkombëtare, 13 prej të cilave me Kombëtaren shqiptare.
Më pas shkon në Sofje, ku merr diplomën e trajnerit. Për disa vite drejton ekipet e Dinamos dhe të Lushnjës, ndoshta duke pritur momentin për t’u rikthyer në Shkodrën e tij.
Dhe ky moment do të vinte në vitin 1966.
Për 13 vite me radhë, deri në vitin 1979, Xhevdet Shaqiri do të ishte në krye të Vllaznisë, duke drejtuar atë skuadër të viteve ’70 që padyshim konsiderohet ndër formacionet më të mira të të gjitha kohërave në historinë e klubit shkodran.
Nën drejtimin e tij, Vllaznia arriti të fitonte tre tituj kampionë, në vitet 1972, 1974 dhe 1978, si dhe dy Kupa të Republikës, në vitet 1972 dhe 1979.
Por Vllaznia e Xhevdet Shaqirit nuk do të mbahej mend vetëm për trofetë. Ajo u bë protagoniste edhe në arenën ndërkombëtare, duke dhuruar ndeshje të shkëlqyera dhe paraqitje dinjitoze.
Mbi të gjitha, mbetet e paharruar fitorja 2-0 ndaj Austrisë së Vjenës, në vitin 1978. Po ashtu, nuk mund të harrohen edhe ndeshjet dinjitoze në Kupën Ballkanike ndaj Beroes së Stara Zagorës dhe UTA-s së Aradit, ku Vllaznia shpalosi vlerat më të mira të futbollit shkodran.
Xhevdet Shaqiri u nda nga jeta më 11 shtator 1997, por pas vetes la një histori të pasur suksesi, për të cilën kujtohet edhe sot me shumë respekt.
Emri i tij do të vazhdojë të kujtohet brez pas brezi, sepse Xhevdet Shaqiri ka hyrë përfundimisht në historinë e klubit Vllaznia si trajneri më i suksesshëm i tij, një prej figurave që i dha shumë lavdi fanellës kuqeblu.
/SHKODRA-SPORT.COM/


