Ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Edvin Murati, i pranishëm në filmin dokumentar kushtuar karrierës së Lorik Canës, komentuar shortin e hedhur në Dublin për Euro 2020 ku Shqipëria ka gjetur në grup Francën.

Të gjithë shohin Kampionët e Botës në fuqi si ekipin dominues që do të bëjë diferencën me të tjerët, por Murati, i cili jeton e punon në Francë, tregon se vetë trajneri Deshamp është shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për kuqezinjtë.

“Sinqerisht francezët na respektojë ne se me Francën kemi bërë gjithmonë ndeshje të bukura. Nuk na marrin kollaj. Para një javë ishim me Deshamp dhe ai më tha “Pupupu Shqipëria” se në Europian deri në minutën e 85-të…”, tha duke qeshur Murati për RTSH rreth bashkëbisedimit me teknikun e Francës. “Kanë shumë respekt për ne francezët, se bëmë një Europian të mirë, bëmë gjërat siç duhej ndaj kanë respekt ndaj nesh”, vijoi ai.

Sipas Muratit, tani duhet përqendrim maksimal për t’u kthyer në rrugën e duhur, pas një viti 2018 ku për Shqipërinë ka pasur pak momente pozitive.

“Tani kombëtarja ka vështirësitë e veta se është një fazë ku ndjen mungesën e një lideri si Loriku. Tani duhet roli i trajnerit të mbledhë ekipin, të luajnë të gjithë bashkë. Duhet punë nga të gjithë, nga punëtori i fushës e deri të presidenti, duhet të shtrëngohen, të mblidhen njëri me tjetrin”, ishte ‘formula e suksesit” sipas Muratit. /vipsport/