Rrogozhinasit kanë prezantuar deri më tani disa lojtarë, por të tjerë janë në provë me skuadrën dhe do të aktivizohen në miqësore, përpara se drejtuesit të vendosin nëse do t’i mbajnë.

Miqësorja e fundit e zhvilluar ndaj Ohrit ka qenë një mundësi e mirë për disa të huaj, që të tregonin veten në fushë, përtej CV-së dhe fjalëve të menaxherëve të tyre, pasi rrogozhinasit nuk kanë ndërmend të afrojnë lojtarë të huaj, pa i parë të luajnë në fushën e lojës.

Një nga lojtarët që ka arritur të bindë trajnerin Edlir Tetova dhe drejtuesit e tjerë të klubit është Henri Zhoel.

Ai është vetëm 20 vjeç dhe luan si sulmues anësor, por edhe si mesfushor i avancuar.

Talenti nga Bregu i Fildishtë ka luajtur në të tria miqësoret e zhvilluara deri më tani nga Egnatia dhe duket se më në fund ka bindur stafin teknik ta afrojë.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se në ditët në vijim Henri do të firmosë kontratën me Egnatian, për t’u quajtur zyrtarisht lojtar i rrogozhinasve.

Ai do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Tetova.