Redi Kasa pritet të jetë shitja e radhës e klubit të Egnatias. “Panorama Sport” mëson se për 21-vjeçarin e lindur në Itali, ofertat kanë qenë të shumta në këtë periudhë, por drejtuesit kanë vendosur të transferojnë sulmuesin vetëm pas përfundimit të angazhimit të klubit në Ligën e Konferencës.

Ai është nën kontratë me rrogozhinasit edhe për dy sezone dhe gjatë kësaj kohe bisedimet mes të interesuarve për shërbimet e Kasës dhe drejtuesit të Egnatias kanë qenë në fazë të avancuar.

Së fundmi ka mbërritur një ofertë zyrtare prej 400 mijë eurosh nga një klub i Superligës turke.

Mundësitë më të mëdha janë që Kasa të vijojë karrierën në Turqi, ndërsa Egnatia është e vendosur që të ruajë një përqindje të pronësisë së kartonit të lojtarit. Kasa iu bashkua rrogozhinasve në janar të këtij viti, ndërsa kishte luajtur në Bullgari me Septemvri Sofian.