Klubi i Egnatias nuk ka vonuar që t’u përgjigjet akuzave të rënda të lëshuara nga presidenti i Elbasanit, Kujtim Llupa, në një emision sportiv në natën e të dielës. Ky i fundit kishte theksuar se presidenti i rrogozhinasve, Agim Demrozi, ishte i vetmi që debatonte me gjyqtarët në pushimin e ndeshjeve, gjë që nuk ishte e lejuar. Deklarata që kanë sjellë edhe reagimin e rrogozhinasve, të cilët me një komunikate të shpërndarë për mediat, i janë kundërpërgjigjur atij duke theksuar se në asnjë moment nuk ka pasur shkelje të këtij lloji.
DEKLARATË ZYRTARE E KLUBIT TË FUTBOLLIT “EGNATIA”
Dje, përfshirë edhe ditën e sotme, në disa media të shkruara dhe vizive janë publikuar deklarata dhe komente ku implikohet padrejtësisht Klubi i Futbollit “Egnatia” dhe presidenti i saj, z. Agim Demrozi. Këto qëndrime, të artikuluara nga individë që konsiderohen pjesë e familjes së futbollit shqiptar, na duken jo vetëm të pabazuara, por edhe aspak normale në raportin institucional që duhet të mbizotërojë në sport.
K F “Egnatia” është, faktikisht, një nga skuadrat më të penalizuara nga vendimmarrjet e arbitrimit gjatë këtij sezoni. Mjafton të kujtojmë se vetëm në 7 javët e fazës së parë, KF “Egnatia” është ndëshkuar pothuajse në çdo ndeshje me kartonë të kuq dhe me 2–4 kartonë të verdhë, si pasojë e “gabimeve njerëzore” të arbitrimit.
E njëjta tendencë ka vijuar edhe në fazën e dytë dhe në këto tre javë të fazës së tretë të kampionatit, ku skuadrës i janë mohuar minimalisht katër penallti të pastra, ndërkohë që ndëshkimet disiplinore kanë qenë disproporcionale dhe me standard të dyfishtë krahasuar me kundërshtarët për të njëjtat veprime, duke favorizuar ata që luajnë kundër “Egnatias”.
Ne nuk kemi as kohë dhe as interes të merremi me gjyqtarët e “gabimet njerëzore”, me kolegët apo me institucionet e futbollit. Objektivi ynë është puna, korrektësia dhe realizimi i qëllimeve sportive. Megjithatë, është një fakt i pamohueshëm se “Egnatia” është ndër skuadrat më të dëmtuara nga gabime serioze arbitrimi, gabime “njerëzore” që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultate dhe renditje, në favor të skuadrave kundërshtare.
Po aq fakt është se stadiumi “Arena Egnatia” ofron kushte model për zhvillimin e ndeshjeve: ambient korrekt, siguri maksimale, tifozëri të rregullt dhe respekt të plotë për gjyqtarët, delegatët dhe zyrtarët e Federatës. Nuk ka asnjë rast, as edhe të vetëm, që presidenti i klubit, z. Agim Demrozi, të ketë ushtruar presion, të ketë dhënë urdhra apo të jetë përfshirë në sjellje të papërshtatshme ndaj arbitrave apo zyrtarëve të ndeshjes.
Përkundrazi, KF Egnatia ka qenë, është dhe do të mbetet korrekt ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve, edhe në ato raste kur kemi qenë bindshëm të dëmtuar nga vendime të padrejta që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultat.
Nëse do të përllogariteshin realisht pikët e humbura nga gabimet e arbitrimit, Egnatia do të rezultonte ndër klubet më të penalizuara të kampionatit.
Ne nuk shpifim, nuk akuzojmë, nuk manipulojmë dhe nuk sulmojmë askënd, aq më pak pjesëtarë të familjes sonë sportive. Nuk kemi reaguar dhe nuk reagojmë ndaj asnjë klubi tjetër. Kjo deklaratë bëhet vetëm për të sensibilizuar opinionin publik dhe për të sqaruar të vërtetën.
Kf Egnatia mbetet dhe do të vazhdojë të jetë promotor i fair play-it, i futbollit edukativ, shoqëror dhe social, duke sjellë një model ndryshe të drejtimit sportiv dhe një model institucional të presidentit të klubit në Republikën e Shqipërisë.
KF “Egnatia”


