Kukësi do të sfidojë sot në orën 19:00 në “Elbasan Arena” skuadrën e Dinamos, në një ndeshje ku do të kërkojë të marrë patjetër pikë. Zero pikë në dy ndeshje janë shumë për verilindorët, edhe pse këtë sezon nuk kanë më pretendimet e dikurshme për rangjet e larta. Me një trajner të ri në stol, si Stavri Nica, Kukësi beson edhe te kthesa dhe eksperienca e vetë teknikut.

Ky i fundit ka besim te një rezultat pozitiv, sepse sheh entuziazëm në stërvitje. “Djemtë kanë entuziazëm dhe dëshirë, duken të impenjuar në stërvitje. Jemi munduar gjatë kësaj jave të punojmë nga ana teknikotaktike”, u shpreh fillimisht Nica për “Panorama Sport”.

KËRKESAT E TRAJNERIT – Në vijim, trajneri pohon se bëhet fjalë për një ndeshje ku kërkohet shpirti i garës. Sipas tij, vetëm besimi mund t’i nxjerrë nga apatia e momentit, ndaj kanë punuar shumë edhe me faktorin psikologjik gjatë këtyre ditëve. “Kjo ndeshje kërkon shpirt gare, në mënyrë që edhe lojtarët të krijojnë autoritetin e tyre dhe mos t’u shkojë djersa dëm.

Të dalin edhe nga ajo apatia e momentit, duke punuar paksa edhe në aspektin psikologjik. Jemi përqendruar te këto elemente për të krijuar besim. Vetëm besimi mund t’i nxjerrë nga gjendja”, vijoi në fjalën e tij tekniku më i ri i verilindorëve, i cili do të bëjë edhe debutimin e tij në krye të kësaj skuadre pikërisht ditën e sotme.

Sa i përket faktit që disa lojtarë nuk e kanë bindur Nicën, tekniku pohon se është shumë herët për të dalë në konkluzione, sepse vetëm një i rënë nga qielli mund të gjykojë kaq shpejt.

“Nuk është e vërtetë që nuk më kanë bindur. Për momentin unë po i studioj me qetësi. Të flasësh për një lojtar do shumë kohë dhe nuk mund të japësh lehtë një mendim për lojtarët.

Duhet të jesh i rënë nga qielli që të jesh i zoti të japësh mendime të tilla”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën trajneri i Kukësit. Pritet që për këtë ndeshje verilindorët të vuajnë vetëm mungesën e portierit Tafas për arsye dëmtimi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e gatshme. Gjithsesi, është një mister më vete se cilët do të jenë lojtarët që do t’u japë besim nga minuta e parë, tekniku Stavri Nica.