Ekipet e Atletik Klub për moshat U-14 dhe U-15 kanë pësuar dy humbje në kampionatin e Kategorisë së Parë këtë javë. Në kuadrin e ndeshjeve të javës së gjashtë, këto ekipe kanë udhëtuar me U-14 drejt Shijakut për t’u ndeshur me ekipin e Erzenit dhe me U-15 drejt Durrësit për t’u përballur me ekipin e Akademisë Shqiponjat.

Sa i takon ndeshjes së 15-vjeçarëve, vendasit e Akademisë Shqiponjat kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj ekipit shkodran të drejtuar nga trajneri Saimir Kaloshi. Tre gola të ndeshjes janë shënuar që në pjesën e parë dhe në të dytën, pavarësisht përpjekjeve të shkodranëve, ato nuk kanë arritur dot të shënojnë dhe kanë pësuar edhe një gol tjetër.

Për këtë arsye, gjithçka është mbyllur me fitoren 4-0 të Akademisë Shqiponjat. Pas kësaj humbjeje, Atletik Klub U-15 renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e nëntë pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani.

Ndërkohë, sa i takon ndeshjes së 14-vjeçarëve, edhe këtu Atletik ka humbur përballjen ndaj Erzenit, teksa nuk e nisi mirë, duke pësuar shumë shpejt tre gola njëri pas tjetrit. Në pjesën e dytë, Erzeni do të shënonte edhe një gol tjetër, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin e thellë 4-0.

Pas kësaj humbjeje, Atletik Klub U-14 renditet në vendin e 12-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm katër pikëve, në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. Megjithatë, pavarësisht humbjeve të djeshme, në ndeshjet e ardhshme me shumë siguri, ekipet e Atletik Klub do të dalin tek rezultatet pozitive, sepse përgatitjet e bëra japin garanci për një gjë të tillë. /Maringlen ZHIVANI/

U-14: Erzeni-Atletik Klub 4-0

Formacioni i Atletik Klub U-14: Marlaska, Gjergji, Nuha, Bashaj, Ramollaj, Ymeraj, Kastrati, Hebovija, Bajri, Syla, Qytetaj (u aktivizuan: Guri, Puka,
Lleshi, Krasniqi) Tr: Eder Zmijani

U-15: Akademia Shqiponjat-Atletik Klub 4-0

Formacioni i Atletik Klub U-15: Lumçi, Abazi, Livalli, Plori, Bushati, Taflaj, Hasanaj, Vuksani, Papaj, Ademi, Kallajxhiu (u aktivizuan: Luka, Dajani) Tr: Saimir Kaloshi