Shkruar nga Endri ÇINARI
Ekipi i Vllaznisë ka qenë një ndër skuadrat më të dëmtuara të Superiores përsa i përket lëndimit të futbollistëve. Me më shumë se 12 futbollistë të skuadrës kuqeblu që kanë pasur ndalesa në infermieri që në fillimin e muajit gusht, kur ka nisur edhe edicioni 2025-26 i Superligës. Por, në periudhën e fundit, skuadra e drejtuar nga Martini është plotësuar thuajse në çdo repart, duke mos pasur mungesa të shumta në fundin e vitit 2025 dhe në prag të atij 2026.
Me disa prej lojtarëve shkodranë si Kallaku,Yago, Murataj apo edhe Bajrami që do shfrytëzojnë periudhën e pushimit për t’u rikuperuar 100% për gjysmën e dytë të sezonit. Teksa futbollistët e sipër përmendur kanë shfaqur disa mangësi fizike në javët e shkuara, duke mos shfaqur potencialin e tyre të plotë. Dhe pritet të jenë totalisht nën urdhërat e stafit teknik në startin e vitit 2026, ku për Vllazninë pritet edhe një tjetër rikthim i rëndësishëm që do plotësojë në 100% ekipin kuqeblu.
Fjala është për Kristian Dros, i cili ka më shumë se dy muaj jashtë fushave të blerta, me moldavin që mungon prej datës 04.10.2025. Ku në javën e 6-të të kampionatit, Vllaznia fitonte 1-0 në shtëpi përballë Elbasanit. Por, sipas informacioneve pranë klubit shkodran dhe vetë futbollistit, rikthimi i tij në fushën e lojës pritet të jetë në dy javët e para të muajit janar. Që do i lejonte 27-vjeçarit të jepte kontributin e tij për pjesën e dytë të sezonit, ku në fillimin e tij ai u shndërrua në një titullar në mesfushën e Vllaznisë.
Por, dëmtimi i pësuar duket se i ka “humbur” hierarki ish-futbollistit të Elbasanit, që gjithsesi me rikthimin e tij do jetë një futbollist që do ketë konsideratë të lartë nga ana e trajnerit, Edi Martini.


