Një ekip shqiptarësh i përbërë nga pasionantë të sportit të futbollit është shpallur ditët e fundit kampion i Italisë në turneun kombëtar të futbollit 5×5 për amatorët. Bëhet fjalë për ekipin “Carrozzeria Alba Fashion”, të drejtuar nga presidenti Anton Kinaj.

Fillimisht ata kanë zënë vendin e parë në kampionatin e zhvilluar në Rajonin e Toskanës dhe më pas kanë marrë pjesë edhe në fazën finale të kampionatit që u zhvillua në datat 21-23 qershor, ku morën pjesë ekipet fituese të çdo Rajoni.

Shqiptarët e “Alba Fashion” nuk kanë dashur t’ia dinë për kundërshtarët duke i kaluar të gjithë me rradhë. Në gjysmëfinale u ndeshen me ekipin “S.6.C” te cilin e munden pas nje lufte te forte sportive me rezultatin e ngushte 3-2 dhe duke siguruar ne kete mënyrë daljen në finalen e këtij kampionati.

Finalja në fakt nuk pati shumë histori sepse ndaj ekipit kundërshtar “Dinosauri”, shqiptarët kanë treguar një nivel shumë të lartë dhe e kanë fituar atë me rezultatin 6-2 duke u kurorëzuar në këtë mënyrë kampionë të Italisë për futbollin 5×5 të amatorëve.

Përbërja e ekipit “Carrozzeria Alba Fashion” që u shpall triumfuese në këtë kampionat ka qenë si më poshtë: Eldin Cafi, Gerti Bibaj, Aleksander Ejlli, Anton Kinaj, Hysen Krasniqi, Ronaldo Lukaj, Xhuliano Preçi, Matteo Rroku dhe Behar Shala.

Suksesi në këtë kampionat është një tjetër tregues që shqiptarët po shfaqin ambiciet e tyre tashmë jo vetëm në biznes apo fusha të tjera të jetës, por edhe në sport dhe si rrjedhojë jo vetëm që maten si të barabartë me vendasit, por shpeshherë edhe triumfojnë ndaj tyre.
Gjergj KOLA