Lajmet e mira për futbollin shqiptar shtohen çdo ditë e më shumë. Kjo sepse numri i fëmijëve të shqiptarëve që kanë marrë rrugët e emigrimit pas viteve ’90 e që merren tashmë me sport, po rritet dhe padyshim që kjo do ndikojë më mirë për një përzgjedhje cilësore dhe rritje të nivelit të ekipeve tona kombëtare.

“Shkodra Sport” sot do të ndalet tek një rast tjetër. Ai i futbollistit me origjinë nga Kopliku i Malësisë së Madhe Endri Mustali. Ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por prindërit e tij i kanë rrënjosur dashurinë për vendin e të parëve dhe si rrjedhojë edhe Endri është rritur me dëshirën që një ditë të përfaqësojë Shqipërinë.

Mustali është i datëlindjes 07 qershor 2007 dhe aktualisht luan me ekipin “Tampa Bay United” qe merr pjese ne kampionatin e moshave MLS të Amerikës, por njëkohësisht luan me klubin e tij edhe në një Ligë tjetër, atë USL ku luajnë futbollistët më të zgjedhur të moshave nga U15 deri tek U19.

Futbollisti me origjinë nga Kopliku luan në rolin e qendërsulmuesit, atij të pozicionit 9 në fushën e lojës dhe në fakt edhe parametrat i ka të shkëlqyera. Endri është i gjatë 1 metër e 93 centimetra dhe peshon 83 kg.

Siç mund ta shikoni edhe nga videoja e mëposhtme, pavarësisht shtatëlartësisë, sulmuesi në fjalë dallohet për lojën e tij me këmbë dhe për lirshëm në veprime. Specialistët e futbollit amerikan dhe jo vetëm, po e vlerësojnë maksimalisht për talentin e tij dhe janë të bindur se do të ketë një të ardhme të sigurtë në futbollin profesionist.

Por nga ana tjetër, Endri Mustali dëshiron që të veshë edhe fanellën e kombëtares shqiptare dhe padyshim që do ta mirëpriste një ftesë të tillë. Fillimisht për kombëtaret e moshave dhe kuptohet që stafi i këtyre të fundit nuk duhet të hezitojë për t’i dërguar një ftesë sa më parë, raporton shkodrasport.com.

Një sulmues me parametra të tilla kuptohet që do t’i bënte nder ekipeve tona përfaqësuese dhe përderisa vetë ai e familja e tij, e kanë shumë për zemër veshjen e fanellës kuqezi, duhet shfrytëzuar për t’ia dhënë sa më parë këtë kënaqësi.
Gjergj KOLA