Bruno Dita është përfolur ditën e sotme për një kalim të mundshëm te skuadra e Vllaznisë. Futbollisti i Shkëndijës thotë se ka vendosur të firmosë një kontratë me tetovarët edhe për sezonin e ardhshëm, megjithatë shprehet se tratativat për kalimin e tij në Shkodër ishin konkrete, por vendosi që të jetë sërish pjesë e Shkëndijes.
Për këtë “Shkodra Sport” kontaktoi vetë 29-vjeçarin, i cili deklaroi se ka pasur kontakte me Vllazninë.
“E vërtetë, kam pasur kontakte me Vllazninë, por kam vendosur të qëndroj përsëri pjesë e Shkëndijës. Kjo është një dëshirë dhe vendim i imi”,-tha gjatë prononcimit të tij, mesfushori i Shkëndijës, Bruno Dita.
Një nga shtyllat e ekipit të Shkëndijës së Tetovës do të japë kontributin e vet edhe për një sezon në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Në edicionin e shkuar, ai u aktivizua në 28 ndeshje duke realizuar edhe 1 gol.
Në Shqipëri ka përvojë të madhe, teksa kulmin e karrierës e arriti me Skënderbeun e kohëve të arta duke luajtur me korçarët në grupet e Europa League. Në vendin tonë ka kontribuar edhe për Teutën, Besën e Kavajës dhe Dinamon, skuadër nga e cila është formuar.
Maringlen ZHIVANI