Edlir Tetova e ka cilësuar një fitore shumë të rëndësishme atë të skuadrës së tij ndaj Vllaznisë me shifrat 4-0 në Shkodër. Trajneri i rrogozhinasve ka theksuar se është një moment i mirë i ekipit dhe nuk kishte pasur dyshime që skuadra do të merrte pikët.

“Ndeshja kishte dy tablo. Në pjesën e parë ishin 25 minuta që folën vetëm për Vllazninë deri në ndryshimin e skemës. E kishim përgatitur me një skemë ndryshe, por nuk shkoi siç duhet, kaluam në 3-4-3 që çunat e kanë më efektive. Sigurisht e kishim bërë si stërvitje si opsion të dytë. Çdo gjë foli për ne në pjesën e dytë.

ideja është që të mos marrim shumë merita për kombinimin e sulmuesve, se të mësosh dy sulmues të luajnë bashkë, do minimalisht një vit. Niveli i futbollit tonë të lejon të bësh këtë lloj manovrash, ne e kemi provuar gjithmonë me dy sulmues. Paulauskas është një sulmues që jep shpirtin për ekipin.

Mendoj se një ndeshje e bukur fillon nga minuta e parë dhe mbaron në minutën e 90, ne ishim në progresion se 25 minuta na vunë në vështirësi. Bëmë ndeshje shumë të mirë, por kemi pasur edhe më parë ndeshje të mira por nuk kemi arritur rezultat si sot që ishte fantastik.

Ne jemi skuadër e re, jemi formuar këtë vit, dua të falënderoj djemtë nga i pari te i fundit për mënyrën se si më ndjekin në stërvitje dhe i transmetojnë në ditën e ndeshjes. Nga informacionet që kam ndjehen të kënaqur me stërvitjet dhe i shfaqin në fushë. Dua t’i falënderoj nga i pari në të fundit.

Është pjesë e përgatitjes që të kesh vazhdimësi, kur ke lojtarë që të dëgjojnë, është çelësi i këtij suksesi sot. Isha i qetë para ndeshjes, i thashë qarkulloni topin dhe gjeni pasimin mes linjave, gjë që çoi te goli. Sot ndikoi se sot kishim shënjestrën më të mirë para portës se në Kupë humbëm raste.

Katër golat? Në momentin ku jemi sinqerisht me intereson vetëm të shoh topin në rrjetë, nuk shoh kush është më i bukuri. Mendoj se pasimi i Mëllugjës dhe goli i Duamenës ishte ai që i vuri kapak ndeshjes”, tha Tetova për “Oversport” pas ndeshjes.