Sfida e nesërme finale ndaj ekipit të Orikut, po pritet me shumë interes në Lezhë. Futbollistë dhe trajnerë janë të vendosur për të treguar vlerat e tyre më të mira në këtë ndeshje, në mënyrë që në fund të saj të marrim me vete edhe kupën drejt qytetit të tyre.
Besimi është i plotë se janë më lart se kundërshtari në këtë finale dhe si rrjedhojë do ta fitojnë këtë ndeshje, megjithatë gjithçka do të vendoset në fushën e stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit pasditen e nesërme. Në prag të kësaj finale ka folur për mediat kapiteni i Besëlidhjes Abaz Karakaçi.
“Mendoj se ky sukses nuk erdhi rastësisht. Që në merkaton e verës u bë një investim serioz që premtonte rezultate. Dominuam grupin, pavarësisht rivalitetit të fortë me Sopotin, sepse kishim një skuadër që garantonte ngjitjen.
Të gjithë djemtë dhanë maksimumin, ndërsa bashkëpunimi me stafin teknik ishte i shkëlqyer. Krijuam një grup të bashkuar, si një familje, dhe kjo ishte çelësi i suksesit.
Do të ishim edhe më krenarë nëse shpallemi kampionë të kategorisë. Është një objektiv për të cilin do të japim gjithçka në finalen e madhe”, është shprehur mesfushori shkodran Karakaçi.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


