Këngëtari i muzikës popullore shkodrane, “Nderi i Kombit” Bujar Qamili që është edhe një tifoz i zjarrtë kuqeblu, mendon se ecuria e Vllaznisë, këtë sezon, është shumë e dobët. Ai tha se shkodranët këtë sezon futbollistik, janë penalizuar shumë edhe nga gjyqtarët e ndeshjeve.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, këngëtari Qamili komentoi edhe situatën aktuale në të cilën gjendet Vllaznia, duke folur kështu edhe për ndeshjen e rradhës, atë që do të luhet me Tiranën, në “Loro Boriçi”.

“Të them të drejtën, ecuria e Vllaznisë, në krahasim me vjet, është pak më e dobët. Faktikisht, ne kemi humbur shumë ndeshje, kemi barazuar shumë ndeshje, që kanë qenë mundësitë t’i fitojmë ato ndeshje, sepse do të ishim në një klasifikim tjetër në tabelën e klasifikimit. Do ishim më afër Tiranës, por edhe Laçit, prandaj me ecurinë e Vllaznisë, e rëndësishme është që ekipi jonë shkodran, të marrë pjesë në Kupat e Europës.

Shpresoj që qytetarët shkodranë nesër ndaj Tiranës, të shohin një ndeshje mjaft interesante, mjaft të bukur dhe më tej faktikisht e kanë në dorë vetë futbollistët, ata të cilët ne tifozët do t’i mbështesim me siguri. Ne, tifozët jemi lojtari i 12-të, që luajmë dhe publiku nuk i ka munguar ekipit të Vllaznisë, duke e ndjekur atë edhe në ndeshjet jashtë rrethit. Domethënë, mbështetjen Vllaznia e ka, por uroj që të ketë atë ecuri më të mirë se sa është sot.

Ne tifozët, që e ndjekim Vllazninë cep në cep të saj, ashtu edhe trajnerët e ekipit dhe drejtori teknik, që Vllaznia nuk ka marrë pikët e duhura për këtë sezon, sepse po të kishte marrë pikët e duhura këtë sezon, do ishte ndryshe në tabelën e klasifikimit, por Vllaznia ka humbur shumë pikë, por kjo ka ardhur jo vetëm si rrjedhojë e një loje të dobët të Vllaznisë, ose lojë e mirë e kundërshtarit, por nga albitrimi dhe nga gjyqtarët, Vllaznia është penalizuar shumë, me 11-metërsha, me kartona të kuq, me kartona të verdhë, si ekipi i parë ose ekipi i dytë në Superiore, që është dënuar më shumë me kartona të kuq, duke filluar që nga trajneri Brdariç.

Megjithatë, pikë janë humbur shumë, por nuk jemi larg. Unë them nuk jemi larg, duke pasur parasysh se me me një humbje të Laçit dhe me një trepikësh ndaj Tiranës, Vllaznia afrohet shumë afër dhe kjo e bën atë pastaj, që të qëndrojë mirë në tabelën e klasifikimit, e justifikueshme për në Kupat e Europës dhe pse jo, fituese e Kupës së Shqipërisë, ashtu siç u shpall edhe vjet, ku ecuria e Vllaznisë, ishte mjaft e mirë, në dy fazat e para.

Në përgjithësi, repartet kanë qenë të mobilizuar për të fituar të gjitha ndeshjet, por kanë pasur edhe mangësi, që jo çdo gjë ka shkuar siç duhet. P.sh, dalja me kartonë të kuq e Gurishtës disa ndeshje, Da Silvës me ato dëmtimet e tij të lehta, që vritet shumë shpejt dhe del jashtë loje. Forma jo e mirë e mesfushorit vlonjat, Hoxhaj. Ajo që është më kryesorja, që është shprehur gjithmonë, jo vetëm sipas meje, por sipas gjithë opinionit, që e kam diskutuar, ka qenë forma jo e mirë e sulmuesit Aralica, i cili mund të kishte shënuar shumë e shumë ndeshje.

Ai është sulmuesi kryesor, dhe nuk ka më tepër se 5-6 gola. Kjo ka një domethënie jashtëzakonisht të madhe. Sulmuesi kryesor i ekipit tonë, Aralica luan shumë mirë me mesfushën dhe në krahë. Me Latifin, me Hakaj shumë bukur. Në rrethin e mesfushës me Krymin etj., por merita të madhe për këto ndeshje ka pasur portieri Zogoviç, me pritjet e tij të shkëlqyera, por ajo që ka qenë kryesorja, është që Aralica ka humbur raste mjaft të mira. Ju i dini shumë mirë. I keni parë vetë, raste mjaft të mira për gol. Ndoshta, në qoftë se do i kishte shënuar ata gola, do të kishte qenë krejt ndryshe Vllaznia në tabelën e klasifikimit.

Gjithmonë ndeshjet ndërmjet Vllaznisë dhe Tiranës, kanë sjellë gjithmonë spektakël dhe jo më kot është quajtur klasike. Domethënë, janë ndër dy ekipet më të mira, që ka Shqipëria dhe dy ekipe, që kanë fituar shumë trofe. Dy ekipe që prodhojnë futboll, dy ekipe që luajnë me të vërtetë gjithçka për gjithçka dhe më kot, nuk është emri klasike. Pra, besoj se në ndeshjen me Tiranën, Vllaznia do të shpalosë të gjithë arsenalin e saj, që ka, qoftë nga portieri, te mbrojtësit, te mesfushorët dhe sulmuesit, sepse i duhet Vllaznisë kjo fitore, e cila do ta sigurojë atë si pjesëmarrëse në Kupat e Europës.

Unë them që Tirana është një ekip shumë i mirë, që ka krijuar një shkëputje jashtëzakonisht të madhe dhe është po të thuash me përgjegjësinë për të mos humbur, ndërsa Vllaznia i do të dyja. Edhe barazimin, edhe fitoren, por fitorja është ajo kryesorja. Unë besoj që ne që do të shkojmë të shohim ndeshjen, do ta mbështesim Vllazninë dhe të shohim një ndeshje Vllaznia-Tirana, me të vërtetë një klasike, siç e kemi parë në fazën e dytë të kampionatit në Tiranë, ku Vllaznia dominoi në të gjitha drejtimet, në të gjitha repartet e fushës. Vllaznia ishte superiore, por nuk i doli goli. Sikur Vllaznia, të luante edhe njëherë ashtu, do të kishim qenë shumë të kënaqur.

Tani, Vllaznia pretendon për atë, që është më kryesorja ose objektivi i Vllaznisë, është të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe kjo është e padiskutueshme. Në qoftë se, nuk fiton Kupën e Shqipërisë, të paktën, një vend të dytë ose të tretë, në tabelën e klasifikimit, duhet ta sigurojë patjetër. Këtë sezon, Vllaznia është e pamundur që të mos marrë pjesë në Kupat e Europës dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Të them të drejtën, faktikisht shorti i Kupës së Shqipërisë, e ka vendosur Vllazninë para një ekipi, që është Partizani. Një ekip që kohët e fundit, po tregon një formë të mirë sportive, por Vllaznia besoj se është më lart dhe them se këtë kupë, do ta fitojë patjetër. Për sa i përket këngës, nuk ma merr mendja se do të ketë këngë për Vllazninë, por unë do përdor këngën e parë “Moj Vllazni, Vllaznia jonë”. Ajo që për tifozët dhe gjithë ne, duket se është e vetmja këngë, himni i Vllaznisë. Vetëm shpresoj shumë që ishalla Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë”,-mbylli prononcimin e tij, këngëtari i njohur shkodran dhe tifozi i Vllaznisë, Bujar Qamili.
Maringlen ZHIVANI