✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Ndryshime te Basania. Dervish Haxhiosmanoviç nuk do të jetë më trajner i kësaj skuadre. Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se tekniku i njohur nga Podgorica i ka kërkuar presidentit Ermir Shimaj ndërprerjen e bashkëpunimit mes dy palëve.

Arsyeja e kësaj kërkese ka patur të bëjë me pamundësinë e tij për të qenë vazhdimisht pranë skuadrës, për shkak të disa problemeve familjare. Kohët e fundit mësohet se “Deda” nuk ka marrë pjesë rregullisht në stërvitje dhe kjo ka sjellë disa probleme.

Po ashtu, ish- trajneri kampion i Vllaznisë në vitin 2001 nuk ka qenë i pranishëm as në ndeshjen e fundjavës së kaluar në Kuçovë ndaj Naftëtarit dhe skuadrën e drejtoi zëvendëstrajneri Erjon Mani.

Nisur nga kjo situatë e krijuar, Haxhiosmanoviç duke parë rrethanat e krijuara, ka kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të Basanias për ta ndërprerë bashkëpunimin dhe ato e kanë aprovuar një gjë të tillë. Çka do të thotë se tashmë ai nuk do të jetë më trajner i Basanias.

Lajmi konfirmohet edhe nga burime pranë kësaj skuadre dhe tashmë mbetet për t’u parë se kush do të jetë zëvendësimi i “Dedës”, por me shumë mundësi kjo detyrë do t’i besohet sërish dyshes Erjon Mani & Mario Kola, e cila e pat drejtuar edhe sezonin e kaluar skuadrën pas largimit të trajnerit Haris Lika.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”