Merkato do mbyllet ditën e sotme për skuadrat e Superligës dhe shumicën e kampionateve në Europë. Ekipet shqiptare kanë mundësi deri në orën 00:00 të mesnatës për të bërë lëvizjet e duhura.

Vllaznia nga ana e saj në këtë merkato nuk është se ka qenë shumë aktive, duke afruar vetëm mesfushorin Panos. Por emra të shumtë kanë qarkulluar në ambientin kuqeblu.

Një ndër ata për të cilët është diskutuar shumë në ditët e fundit është Erald Çinari. Sulmuesi u duk se ishte pranë një rikthimi në kampionatin tonë pas gjysmës së parë të sezonit të kaluar në Turqi me Samsunspor.

Partizani ishte skuadra e parë që mendoi një afrim të 25-vjeçarit në formë huazimi deri në fund të edicionit. Por pas nuk qëndroi as Vllaznia duke parë edhe situatën e lojtarit dhe mundësinë e rikthimit tek ekipi nga ku ai u konfirmua në futbollin shqiptar.

Madje “Shkodra Sport” meson se kontaktet kanë qenë direkte mes presidentit Alban Xhaferi dhe vetë Çinarit. Dëshira për një rikthim duket se nuk ka munguar tek mëngjërashi, por duket se ekipi turk është bërë pengesë.

Kjo pasi ata nuk dëshirojnë që lojtari i tyre të largohet pa pasur një zëvendësues për të. Por gjithashtu edhe kushtet financiare të kontratës që ka Çinari me Samsunspor e bëjnë disi të pamundur rikthimin e tij në Shkodër apo edhe në kampionatin shqiptar.

Megjithatë të ardhmes nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të sjellë nëse futbollsti do rikthehet apo jo në vendlindje./SHKODRA-SPORT.COM/