Eksodi te Vllaznia nuk di të ndalet. Tashmë, duket se mund të ketë një tjetër ndërprerje bashkëpunimi tek ekipi kuqeblu. Fjala është për fantazistin Kristijan Vulaj.
“Shkodra Sport” ka zbuluar se Vulaj pritet të jetë largimi i rradhës nga shkodranët. Kështu, nga sa mësohet, fantazisti shumë shpejt pritet të marrë letrat në klub për t’u larguar nga kuqeblutë. Ky do të ishte largimi i 12-të nga Vllaznia pas përfundimit të sezonit, me shqiptaro-malazezin që nuk është paraqitur fare as në ditët e para stërvitore me ekipin kuqeblu.
Nga njëra anë, Vulaj erdhi si një nga afrimet më të bujshme në skuadër, ku me të shihej një ekip më me fantazi, por në fakt nuk rezultoi kështu. Realisht, duhet thënë se shqiptaro-malazezi nuk ka qenë i “preferuar” në fillim as nga trajneri Josa, por as nga dy trajnerët e tjerë, Miloti dhe Sedloski në vazhdim.
Tashmë, duket se përfundimi i këtij sezoni mund të sjellë ndërprerjen e bashkëpunimit midis palëve. Kujtojmë këtu se, Kristijan Vulaj ka firmosur një kontratë për tre vite me Vllazninë, por gjasat janë që bashkëpunimi të mbyllet që tani në merkaton e verës.
Maringlen ZHIVANI