Ethet e klasikes Vllaznia-Tirana patjetër që kanë përfshirë këdo që e do futbollin shqiptar. Një nga ata që e ka përjetuar sfidën në fushë gjatë karrierës së tij është edhe Ervis Kraja. Ish-mbrojtësi shtatlartë i Vllaznisë nga Australia ku ndodhet prej disa kohësh flet ekskluzivisht për Shkodra Sport mbi sfidën, ku jep edhe parashikimin e tij për rezultatin final.
Kraja tha: “Për ndeshjen kundër Tiranes dua të them se do jetë një ndeshje e rëndësishme për ekipin tonë, ku do tregojë se edhe këtë sezon do jetë pretendent për kampion. Klubi me marrjen e presidencës së re ka një fytyrë tjetër. Vllaznia e meriton një president tifoz po ashtu edhe serioz si Alban Xhaferri.
Tifozët? Të gjithë e dinë se çfarë mbart sfida kundër Tiranes. Për ne që e kemi përjetuar në fushë është ndeshja që duhet fituar gjithmonë. Shpesh kishte raste kur vinte Tirana në Shkodër ku tifozët thonin që vetëm fitoni sot, s’ka rëndësi ndeshjet e tjera. Besoj se stadiumi do jetë i mbushur plot si gjithmonë në Shkodër dhe ndeshja do jetë edhe më e bukur.
Primare për futbollistët e Vllaznisë dhe madje do i këshilloja që ndeshjet ti marrin një nga një, e të mos bien nën presionin e kundërshtarëve nga emrat, por të kujdesen për rëndësinë e 3 pikëve. Pasi çdo ndeshje vlen 3 pikë edhe kjo me Tiranen, e kur fiton objektivi është më i arritshëm.
Duhet të kenë kujdes nga trajneri Shehi dhe nga drejtori Osmani pasi janë dy persona që e njohin mirë ambientin shkodran. Por, besoj se profesionalizmi dhe cilësia e futbollistëve tanë do dalë në pah dhe Vllaznia do fitojë 2-0 ku parashikoj që Krymi do jetë më i miri i ndeshjes”.
Endri ÇINARI