Kriza e basketbollit shkodran duket se ka marrë fund. Vllaznia shumë shpejt pritet të ketë një president të ri dhe bashkë me të do të vijnë edhe një trajner i huaj dhe tre basketbollistë amerikanë.

Në këtë mënyrë, nisja skandaloze që ekipi i meshkujve i ka bërë kampionatit me pesë humbje në pesë ndeshje, mund të jetë drejt fundit.

Një biznesmen i njohur shkodran që jeton në Tiranë, pikërisht Alban Xhaferi, ka shprehur dëshirën për të sponsorizuar këtë ekip. Për këtë arsye, ai ka zhvilluar bisedimet me drejtuesit e Sporklub Vllaznia por edhe me ato të shoqatës së basketbollit dhe gjithçka duket Ok.

Presidenti aktual i shoqatës Sokol Dibra, duket se ka shprehur gatishmërinë e tij t’i lëshojë postin Xhaferrit dhe tashmë ka mbetur vetëm hedhja e firmës dhe zyrtarizimi i kësaj lëvizje.

Por presidenti i ri nuk do të vijë vetëm. Brenda javës tjetër pritet që ai të sjellë në Shkodër një trajner të huaj. Bëhet fjalë për një kroat me shumë eksperiencë.

Përveç tyre ka në plan të sjellë edhe tre basketbollistë amerikanë dhe të rikthejë në ekip edhe dy shkodranët, Ervin Berdicën dhe Herion Faslinë. Po ashtu, pritet që në postin e drejtorit teknik të emërohet ish- basketbollisti i njohur Altin Halili.

Gjithçka do të bëhet shumë shpejt. Ideja është për ta nxjerrë Vllazninë sa më shpejt nga situata ku ndodhet për të mos rrezikuar rënien nga kategoria dhe më pas, të shohë për më tej.

Shpresat janë për rikthimin e kohëve të arta sërish për basketbollin shkodran megjithatë të presim.
© shkodrasport.com