Tashmë është zyrtare: Bullgari Nikolai Gospodinov ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Vllaznisë dhe do të jetë trajneri i ekipit të basketbollit të meshkujve të saj për sezonin e ardhshëm.
Këtë gjë e ka konfirmuar vetë trajneri në një intervistë për “Shkodra Sport”. Ai ndër të tjera ka folur edhe për periudhën kur do të fillojë stërvitja dhe po ashtu edhe për merkaton e kuqebluve. Lexoni më poshtë intervistën ekskluzive të bërë me trajnerin Gospodinov?
– Mister, keni firmosur me drejtuesit e Vllaznisë?
– Po, tani mund të konfirmoj faktin se kemi një marrëveshje.
– Kur do të nisë stërvitjen ekipi?
– Ne jemi duke pritur konfirmimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit se kur do të startojë ekzaktësisht sezoni i ri dhe pas kësaj, do të bëjmë planet tona për stërvitjen.
– Ndërkohë, keni filluar të punoni për merkaton?
– Ne jemi duke punuar për këtë gjë.
– Do të ketë shumë lëvizje në ekip?
– Unë jam duke parë gjithçka dhe do të vendosim në vazhdim.
– Por ndërkohë, Hysenagolli, një nga lojtarët e piketuar nga Vllaznia, thuhet të ketë firmosur në Francë. Ju prish punë kjo gjë?
– Hysenagolli në Francë? Nuk kam dijeni për këtë gjë.
– Ndërkohë basketbollistët shkodranë Shestani, Faslija dhe Daniel Lekndreaj, janë në planet tuaja?
– Sigurisht që janë në planet e mia.
– Ka ndonjë lojtar tjetër nga kampionati shqiptar që ju pëlqen ta keni në ekip?
– Unë kam disa ide në lidhje me to, por unë nuk dua të flas më shumë për këtë çështje sepse kuptohet që ende nuk kemi asnjë marrëveshje me ndonjërin prej tyre.
– Ndërkohë sa u takon të huajve që pritet të vijnë tek Vllaznia, preferoni amerikanë apo ballkanas?
– Unë mendoj më tepër për basketbollistë amerikanë.
– Do të ketë largime nga lojtarët që janë aktualisht pjesë e skuadrës?
– Ende nuk kemi vendosur, do të shohim në vijim.
– Profesor, faleminderit për intervistën…
– Faleminderit juve!
© shkodrasport.com