Edhe pse kampionati ende nuk ka përfunduar, drejtuesit e klubeve të ndryshme të Abissnet Superiore kanë nisur lëvizjet për të përforcuar ekipet për ndeshjet e kompeticioneve europiane dhe sezonin e ardhshëm. Qëllimi i tyre është për të afruar në skuadër futbollistë me sa më shumë eksperiencë dhe mësohet se një prej emrave më të lakuar të merkatos është edhe kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta.
Mbrojtësit kuqeblu i skadon kontrata në muajin qershor dhe shanset janë që të ndahet me ekipin e tij të lindjes, për të kërkuar një aventurë të re, ndoshta edhe jashtë Shqipërisë.
Megjithatë, së fundmi Gurishta është lakuar si përforcim i mundshëm edhe tek Partizani, Tirana dhe Egnatia, madje thuhet edhe se drejtuesit e kuq kanë pasur një takim me një nga futbollistët më të mirë të Abissnet Superiore në sezonet e fundit.
Megjithatë, “Shkodra Sport” është interesuar në lidhje me një gjë të tillë dhe ka kontaktuar direkt me Gurishtën. Kapiteni i Vllaznisë, në një komunikim me “Shkodra Sport”, pohoi faktin se për sa kohë është nën kontratë me ekipin kuqeblu, as nuk është takuar dhe as nuk do të takohet me drejtues të skuadrave të tjera.
“Takim me drejtuesit e Partizanit? Jo jo, nuk është e vërtetë. Për aq kohë, sa jam nën kontratë me Vllazninë, nuk ka shanse të takohem me drejtues të ekipeve të tjera. Nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me të tilla thashetheme”,-tha kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta.
Në fakt, nga sa mësohet Partizani, Tirana dhe Egnatia janë të interesuara seriozisht për afrimin e tij, por mbetet për t’u parë se si do të shkojë e ardhmja e kapitenit të Vllaznisë. Gjithcka pritet të vendoset në fund të sezonit, kur shanset më të mëdha janë që Erdenis Gurishta të largohet nga Vllaznia, por për momentin ai është i fokusuar vetëm tek ekipi kuqeblu.
Maringlen ZHIVANI