Një ndër basketbollistët më të mirë shqiptar dhe njëkohësisht edhe një ndër basketbollistët më të mirë shkodran, është edhe Daniel Lekndreaj. Ai është një nga ata sportistë cilësorë që ka nxjerrë Vllaznia, por që po zhvillon një karrierë të suksesshme larg Shkodrës.

Tashmë, ai është pjesë e kampionatit kosovar të basketbollit me Pejën, teksa për “Shkodra Sport”, Lekndreaj ka folur për këtë aventurë, të ardhmen, por edhe Vllazninë.

“Për mua çdo ndeshje është emocion. Po bëj maksimumin në çdo ndeshje dhe në stërvitje, që të ndihmoj ekipin në rezultatet pozitive. Jam i kënaqur me ecurinë e ekipit dhe me veten time për formën e mirë, që po tregoj.

Siç e thatë edhe vetë, këtu kampionati është i fortë dhe çdo ekip ka bërë përmirësime dhe investime. Nuk ka ndeshje të lehta për ne. Të gjitha janë si finale. Objektivat janë kampionati dhe Liga Unike. Besoi se do i arrijmë këto objektiva edhe me ndryshimet e fundit, që kemi bërë në ekip.

Vitin e fundit, kampionati shqiptar ka pasur një rënie, duke marrë parasysh vitet e tjera, ku ishte edhe Goga Basket si ekip. Kishte më shumë rivalitet, kurse siç e përmenda pak më sipër, në kampionatin Kosovar, të gjitha ndeshjet vlerësohen.

Të gjitha ekipet kanë investuar, por të mos harrojmë, që edhe gjendja financiare, është më e mirë në kampionatin kosovar. Për momentin, fokusi im është tek Peja dhe objektivat e ekipit. Kaq mund të them për momentin.

E kam ndjekur Vllazninë dhe po shikoi që kanë një rritje në çdo ndeshje. Kjo është një gjë e mirë. Ju uroj shumë suksese dhe shpresoj të dalin kampion në kampionatin shqiptar, pasi tifozët kanë vite, që e presin yllin në fanellë.

Shkodra është vendi im, shtëpia ime, por për momentin, fokusi im është të arrij objektivat e Pejës dhe të jap maksimumin tim në ndeshjet e mbetura. Çdo gjë ia lëmë kohës për një rikthim në Shkodër. Kurrë nuk i dihet”,-mbylli prononcimin e tij, basketbollisti i Pejës, shkodrani Daniel Lekndreaj.
Maringlen ZHIVANI