Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, e planifikuar për t’u luajtur më 30 mars, mund të shtyhet për një datë tjetër. Shkaku është se janë grumbulluar tre lojtarë të skuadrës së Partizanit, me ekipin e U21 të Shqipërisë dhe drejtuesit e kuq janë duke bërë të pamundurën që ta shtyjnë këtë ndeshje.

Kështu, bëhet fjalë për tre nga lojtarët më të mirë të saj, pikërisht mbrojtësin Albion Marku, mesfushorin Arinaldo Rrapaj dhe sulmuesin Tedi Cara. Në fakt, burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se drejtuesit e Partizanit po mendojnë t’i kërkojnë Federatës shtyrjen e kësaj ndeshje të paktën me 24 orë.

Kjo sepse Marku, Rrapaj e Cara do të jenë pjesë e kombëtares U21 në ndeshjen që ajo do të luajë më 29 mars në pra 20.45 në “Elbasan Arena” dhe duket e pamundur që ata të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Vllaznisë pak orë më vonë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim nëse do të konfirmohet nga ana e FSHF apo drejtuesit e Partizanit do të hasin në kundërshtinë e tyre.
Maringlen ZHIVANI