Nga Maringlen ZHIVANI
Qatip Osmani do të jetë trajneri i ri i Strugës, ekipit kampion në Maqedoninë e Veriut. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se 54-vjeçari ka mbyllur marrëveshjen me drejtuesit e këtij klubi dhe shumë shpejt pritet të fillojë aventurën e rradhës në krye të skuadrës kampione.
Në fakt, drejtuesit e Strugës e kanë parë Osmanin si të duhurin për të marrë në dorë “frenat” e ekipit, teksa sipas burimeve të “Shkodra Sport”, ish-trajnerit të Vllaznisë i është kërkuar që të marrë drejtimin e skuadrës menjëherë pas largimit të Shpëtim Duros, por ai ka menduar ndryshe, duke vendosur që punën e tij tek ky ekip ta nisë pas përfundimit të këtij sezoni që po lëmë pas.
Tek Struga, Osmani do të ketë si ndihmës edhe Bashkim Livorekën, me të cilin punuan së bashku edhe në Shkodër. Së fundmi, Qatip Osmani ishte pjesë e Vllaznisë, por klubi shkodran vendosi ta shkarkonte për ta zëvendësuar me gjermanin, Thomas Brdariç.
Kujtojmë që ky, do të jetë një rikthim për trajnerin 54-vjeçar në Maqedoni, pasi më parë ka drejtuar ekipe si Shkëndija e Tetovës, Renova dhe Shkupi.