Një ndër ekipet pretendente të Kategorisë së Parë për t’u rikthyer në Superiore është edhe Erzeni. Skuadra shijakase ka arritur të fitojë në ndeshjen e fundit ndaj Maliqit të zhvilluar në stadiumin “Tofik Jashari” në Shijak, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 1-0.

Ekipi i drejtuar nga Nevil Dede mori një trepikësh me vlera, teksa tashmë renditet në vendin e dytë të klasifikimit me 45 pikë, dy më pak se sa Bylis i vendit të parë. Në këtë ndeshje, golin për skuadrën shijakase e shënoi shkodrani Jasmin Rraboshta.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, sulmuesi ka folur për aventurën e re në Shijak, teksa foli edhe për synimet që ka me Erzenin.

“Normalisht që ndjehem shumë mirë, kur shënoj gola të rëndësishëm për ekipin. Marrëdhënia është shumë e mirë jo vetëm me trajnerin Dede, por me gjithë stafin e tij. Normal që, trajneri Dede më ka bërë komplimenta, jo vetëm kur shënoj, por edhe kur luaj për shokët e ekipit.

Normalisht, jemi pretendentë kryesorë për t’u ngjitur në Superiore, pasi është ëndrra e gjithë qytetit që Erzeni të ngjitet në Superiore, pasi ka 20 vjet që nuk luan aty. Objektivi im personal është të shënoj sa më shumë, në mënyrë që të ndihmoj ekipin për realizimin e objektivit Superiore”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Rraboshta flet edhe për Vllazninë, teksa nuk e përjashton rikthimin një ditë tek ekipi shkodran.

“Po, e ndjeki shumë Vllazninë dhe me futbollin që po bën Vllaznia këto dy vitet e fundit, është duke i dhënë leksion gjithë Shqipërisë.

Endrra e çdo shkodranit është që të vesh ngjyrat që përfaqëson ai klub. Eshtë nder dhe krenari për mua personalisht. Unë kam luajtur dy vjet aty dhe jam fitues i Kupës së Shqipërisë në vitin 2008 me ekipin e Vllaznisë. Pse jo, një ditë mund të rikthehem tek Vllaznia”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Erzenit, Jasmin Rraboshta.
Maringlen ZHIVANI