Këtë javë, Burreli arriti të merrte një fitore ndaj Besëlidhjes me shifrat 3-0. Një nga protagonistët e këtij suksesi, ishte kapiteni i Burrelit, mbrojtësi shkodran, Klejdi Dibra, teksa shënoi golin e tretë të ndeshjes në fundin e pjesës së parë dhe preferoi të mos e festonte këtë gol, në rrespekt të lezhjanëve.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai foli për ndeshjen ndaj Besëlidhjes dhe rreth ecurisë me ekipin e Burrelit, teksa u ndal edhe tek e ardhmja e tij.

“Po, ishte një fitore e domosdoshme ndaj Besëlidhjes, pas disa gabimeve që bëmë në ndeshjet e kaluara. Unë edhe pse shënova, nuk festova, pasi kam kaluar 10 vite tek Besëlidhja.

Në fakt, të luash kundër Besëlidhjes është një emocion ndryshe nga ndeshjet e tjera, por unë tani luaj me ekipin e Burrelit dhe duhet të bëj detyrën time. Ne si skuadër do të mundohemi të fitojmë ndaj çdo ekipi.

Unë për një vit kam firmosur për Burrelin. Shpresoj që të bëj më të mirën e mundshme për objektivin që kemi me ekipin e Burrelit, ndërsa kur të mbarojë sezoni, do shikoj ofertat më të mira”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Dibra flet edhe për Vllazninë, teksa nuk e përjashton mundësinë e rikthimit si kuqeblu, nëse ka një ofertë ndaj tij.

“Në fakt, Vllaznia nuk është se e ka pasur edhe fatin me vete, sepse po të flasim për futboll besoj se bën lojën më të bukur në Shqipëri.

Nëse ka një ofertë nga Vllaznia ndaj meje, do e pranoja me dëshirën më të madhe, pasi është ekipi i vendlindjes time dhe ekipi më i mirë në Shqipëri”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Burrelit, Klejdi Dibra.
Maringlen ZHIVANI