Saimir Patushi është një nga ata ish-futbollistë që ka provuar të luajë për Vllazninë vite më parë, por duket se ky ekip dhe Shkodra janë çdo ditë në mendjen e tij. Së fundmi, ai ka qenë prezent në stadiumin “Loro Boriçi” për të ndjekur nga afër ndeshjen e parë të Vllaznisë ndaj Kraiovës.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai vlerësoi shkodranët, duke thënë se ata luajtën si të barabartë përballë rumunëve. Patushi ka folur edhe për ndeshjen e kthimit, për të cilën tha se Vllaznia duhet të guxojë në lojën e saj që do të bëjë.

Ish-mesfushori matjan u shpreh se ekipi duhet të jetë më afër me repartet në mënyrë që hapësirat të jenë të vogla, ndërsa theksoi se Kraiova në fushën e lojës nuk ishte ai ekipi që flitej në media.

“Po të shikoje dy ekipet në letër, besoj se si në media, ashtu edhe në stafin e Kraiovës, Vllaznia ishte inferior, por këtë 90-minutësh unë e pashë në stadium dhe gjithçka ishte e barabartë.

Unë besoj që Vllaznia do guxojë, por duhet të kemi një skuadër kompakte dhe të mbledhur ose distancat të jenë të shkurtra dhe të përdoret shumë mirë kundërsulmin dhe të kemi pak fat.

Po pse të kemi frikë nga Kraiova? Tashmë, stafi me në krye trajneri Josa dhe drejtuesit e kanë studiuar Kraiovën dhe uroj t’i eleminojnë pikat e forta të Kraiovës, pastaj futbolli prandaj është i bukur: Të guxosh.

Ku çaloi ekipi në ndeshjen e parë? Po e nis nga sulmi. Aralica nuk bën më mirë se Kaina Nunesh. Heriç nuk bën më mirë se Marku dhe Hoxhaj, gjë që u pa dukshëm në pjesën e dytë. Këta futbollistë nuk mund të luajnë në formacion në ndeshjen e kthimit dhe e fundit, ekipi duhet të jetë sa më afër me repartet, që hapësirat të jenë shumë të vogla.

Unë besoj që Josa e njeh mirë atë ambjent në Shkodër dhe çfarë kërkon ai qytet dhe ajo tifozëri. Uroj që trajneri Josa të guxojë, sepse sa herë guxonim ose shtynim përpara në ndeshjen e parë, e vendosnim në vështirësi ekipin e Kraiovës.

Parashikim për sfidën e kthimit? Unë nuk besoj se Kraiova ishte ai ekip që u fliste në media. Me çfarë pamë në fushë, besoj se ishim të barabartë. Uroj me zemër që Vllaznia të kalojë në turin tjetër”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri matjan, Saimir Patushi.
Maringlen ZHIVANI