Armando Broja është përfolur për një lëvizje te West Ham që nga hapja e merkatos dhe tashmë sulmuesi po kërkon një përgjigje për të ardhmen e tij.

I riu ra në sy të shumë klubeve pas huazimit të tij mbresëlënës tek Southampton sezonin e kaluar dhe West Ham ka qenë konkurrenti kryesor për nënshkrimin e tij.

Thomas Tuchel ka qenë i bindur se klubi nuk do të hyjë në treg për një numër të ri 9-sh këtë verë për shkak të talenteve që ata kanë për të plotësuar atë rol, duke përfshirë futbollistë të rinj si Broja.

Megjithatë, asgjë nuk është e qartë përsa i përket rolit të tij në skuadër, nëse zgjedh të qëndrojë në Londër apo jo për sezonin e ardhshëm.

Në fakt, është raportuar se, tashmë Broja po tregohet pak më kërkues në lidhje me situatën e tij. 20-vjeçari po kërkon garanci konkrete se ai është në planet e Tuchel.

Blutë kanë përfunduar turneun e tyre parasezonal në Shtetet e Bashkuara pas një disfate ndaj Arsenalit dhe bisedimet me Brojën pritet të avancojnë pasi të kthehen, pasi trajneri gjerman të ketë marrë mësimet e tij nga disa miqësore të vështira.
Maringlen ZHIVANI