Friday, January 9, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTEEKSKLUZIVE/ Shiroka arrin marrëveshjen me ish-sulmuesin e Vllaznisë

EKSKLUZIVE/ Shiroka arrin marrëveshjen me ish-sulmuesin e Vllaznisë

Nga Maringlen ZHIVANI

Arlind Kalaja do të jetë pjesë e Shirokës për pjesën e mbetur të sezonit, pasi ka arritur akordin me drejtuesit e klubit shkodran. Sulmuesi anësor, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe si sulmues qendre, është rikthyer në Shkodër dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të Shirokës, me objektivin për të dhënë kontributin e tij në Kategorinë e Dytë.

Interesi i Shirokës për Kalajën ka qenë i hershëm dhe prej javësh drejtuesit e klubit kanë punuar për ta bindur futbollistin. Sipas burimeve të “Shkodra Sport”, së fundmi është zhvilluar edhe një takim mes Kalajës dhe presidentit Ergi Axhani, takim që ka çuar në marrëveshjen mes palëve për bashkëpunimin deri në fund të sezonit.

Arlind Kalaja u formua te Vllaznia, skuadër me të cilën hodhi hapat e parë në futbollin profesionist dhe u afirmua në Kategorinë Superiore. Pas disa sezoneve me kuqeblutë, sulmuesi vijoi karrierën te Kukësi, ku u bë pjesë e një ekipi konkurrues si në kampionat, ashtu edhe në arenën europiane.

Më pas, Kalaja u huazua te Kastrioti, për të vazhduar më vonë te Teuta Durrës, ku pati minuta dhe kontribut në repartin ofensiv. Në vitin 2020, ai u rikthye sërish te Vllaznia, duke qenë pjesë e skuadrës për dy sezone radhazi, në një periudhë ku klubi shkodran ishte ndër protagonistët e Superiores.

Karriera e tij mori një drejtim ndërkombëtar në vitin 2022, kur u transferua në Suedi te Ljungskile SK, ku u aktivizua edhe në Kupën e Suedisë, duke fituar një eksperiencë të rëndësishme jashtë Shqipërisë. Më pas, Kalaja vijoi aventurën në Greqi, fillimisht me Panelefsiniakos, më pas me Fostiras, përpara se të bashkohej me Panionios FC.

Me Panionios, sulmuesi shqiptar ishte pjesë e projektit që çoi klubin drejt ngjitjes në një kategori më të lartë, duke konfirmuar vlerat e tij si një profil me eksperiencë në repartin ofensiv.

Paralelisht me karrierën në klube, Arlind Kalaja ka qenë pjesë edhe e kombëtareve të moshave të Shqipërisë (U15, U17 dhe U19). Tashmë, Kalaja rikthehet në Shkodër për të veshur fanellën e Shirokës, ku pritet të jetë një nga pikat e referimit të skuadrës në pjesën e mbetur të sezonit në Kategorinë e Dytë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments