Pas shumë vitesh u rikthye në Shkodër dhe arsyeja ishte për të ndjekur Vllazninë ndaj Universitateas se Krajovës. Skerdi Bejzade është ndjerë mirë në kryeqendrën e Veriut ku ka takuar shumë miq të tij dhe sëbashku kanë ndjekur edhe ndeshjen.

Ndërkohë ish- sulmuesi i njohur ka pranuar të flasë edhe për gazetën “Shkodra Sport” në një intervistë ekskluzive ku ka folur edhe për ndeshjen e nesërme ku sipas tij, Vllaznia duhet ta tentojë deri në fund kualifikimin. Të plotë intervistën e tij mund ta ndiqni më poshtë:


– Skerdi, Vllaznia shkon ne Rumani pas barazimit 1-1 ne sfiden e pare. Si e shikuat ate ne “Loro Boriçi”, duke qene se ishit edhe vete prezent

Janë bërë shumë vite që nuk kam qenë në Shqipëri. Një gjë tepër e vecantë për mua, pasi takova shumë tifozë dhe miq të mi. Vllaznia luajti mirë praktikisht. Për mendimin tim kundërshtarët ishin në një nivel më të lartë. Penalltia ishte pak me dyshim. Gjithsesi ndryshimet që trajneri Josa bëri në pjesën e dytë ndryshuan tërëm lojën. Për mendimin tim, Coba ishte iniciatori i atij aksioni, prej të cilit erdhi edhe goli i barazimit.


– Tashme nje perballje “shahu” ndeshja e dyte per te dy ekipet nese mund ta quajme keshtu, si e shikoni sfiden e kthimit?

Gjithçka është e mundur për Vllazninë në ndeshjen e kthimit. Shpresojmë të mos pësojmë një gol të shpejtë. Besoj se trajneri Josa do të mendojë dicka që të ekipi të arrijë t’i kapë kundërshtarët në befasi dhe të bëjë kundërsulm. Gjithcka është e mundur. Sa më shumë të mbahet loja barazim, aq më shumë rritet presioni mbi kundërshtarin dhe aq më shumë fitohet besim te lojtarët e Vllaznisë.

– Ne pergjithesi, Vllaznia si duket ne syrin tuaj, qofte per ndeshjen e kthimit qofte edhe per sezonin e ri?

Vllaznia duket një ekip me kompakt, ekip i mirë. Me sa kam arritur të shoh unë, mungojnë sulmues dhe lojtarë të aftë për finalizimin e rasteve për të shënuar. Besoj se djemtë e Vllaznisë do të arrijnë t’i bëjnë tifozët për vete që në javët e para të kampionatit dhe të kenë moralin dhe objektivat për të arritur titullin.


– Do mundet Vllaznia ta beje hapin e madh dhe te kualifikohet ne turin e trete?

Dihet se Vllaznia nuk shihet si favorite për të kaluar në turin tjetër. është e dukshme se ekipi kundërshtar ka një buxhet më të madh dhe lojtarë më profesionistë, por në futboll cdo gjë është e mundur, nuk është e thënë të fitojë përherë ekipi që ka buxhet më të mirë. Përderisa Laci ka arritur të kalojë, pse jo të mos t’ja dalë edhe Vllaznia. Me durim dhe punë do Zoti do ja dalë.

– Mund te ketë trajneri Josa ndikim ne nje sukses te mundshem te Vllaznise ne Rumani?

Normal që trajneri Josa do të ndikojë të ekipi. Kam pasur rastin të punoj me të. është një trajner mjaft i mirë dhe mjaft i suksesshëm. Besoj se ka përvojën e duhur dhe do të bëjë c’të jetë e mundur për ekipin. Cdo gjë do të ngelë në dorën e lojtarëve. Do të ishtë një gjë mjaft e bukur për Vllazninë, sidomos pas deklaratave që janë bërë nga presidenti i Kraiovës dhe të tjera që kemi lexuar nëpër portale. Do më bëhej shumë qejfi ta shihja Vllazninë të fitonte.


– E fundit, si e parashikoni sfiden e kthimit?

Unë shpresoj dhe mendoj se deri në minutën e 90-të rezultati të jetë 0-0 dhe në minutën e 91-të Vllaznia të shënonte dhe ndeshja të mbyllej 0-1 për të. Kjo do të ishte diçka shumë e bukur dhe kjo do të ishte dëshira ime.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANi