Andreas Ndoj është një nga futbollistët e rinj shkodranë që po bën emër në Greqi. 19-vjeçari së fundmi është pjesë edhe ekipit legjendar të Olimpiakos e ndërsa ka marrë ftesën edhe nga Shqipëria u-21 për ndeshjet e shtatorit. Për “Shkodra Sport”, mesfushori shprehet shumë i lumtur ndërsa thekson se është krenar se do jetë pjesë e kuqezinjve dhe pavarësisht se edhe Greqia këmbënguli për të, ai ka vendosur të përfaqësojë atdheun e tij.
Ndoj tha: “Më duket sikur po jetoj një ëndërr. Kjo pasi ka ardhur edhe grumbullimi nga ekipi i parë i Olimpiakos, ku më së fundmi isha pjesë e ndeshjes së Europa League kundër Nantes. Pavarësisht se unë jam pjesë e ekipit prej 1 viti, ku jam aktivizuar rregullisht tek skuadra B. Tani po plotësoj një ëndërr timen sepse Olimpiakos është klubi ku jam rritur dhe i zemrës sime.
Kombëtarja ? Jam shumë krenar, puna ime dhe e familjes time po shpërblehet. Kam zgjedhur të luajë për Shqipërinë sepse është origjina ime dhe vendi i prindërve të mi. Është diçka që e ndiej dhe dua të jap më të mirën për atë fanellë. Tek ekipi u-21 ka lojtarë shumë të mirë, ku disa prej tyre edhe i njoh. Besoj se mund të bëjmë gjëra pozitive.
Greqia? Unë i jam falenderues sepse më kanë dhënë mundësinë të rritem si futbollist dhe si njeri. Sepse është vendi ku u linda dhe u rrita dhe i jam mirënjohës.
Patjetër që Olimpiakos është familja ime sportive dhe po ashtu interesi nga federata greke ndaj meje ka qenë shumë i madh. Ku më kanë telefonuar edhe së fundmi, por unë kam vendosur të jem pjesë e Shqipërisë dhe të përfaqësoj ngjyrat kuqezi”.
Endri ÇINARI